Teknologjia e VAR-it po ecën mirë përgjithësisht, por akoma ka të pakënaqur. Torino është një nga ekipet më të penalizuara dhe janë pesë ndeshje ku ekipi granata meritonte më shumë, siç thekson Urbano Kairo. Presidenti i Torinos kërkon të ruajë qetësinë, por kërkon një trajtim të barabartë për të gjithë.
“Në këto 10 ndeshje, të paktën në 5 prej tyre, ka patur episode që na kanë penalizuar. Për ne është e rëndësishme të kemi një trajtim të barabartë, nuk bëhet fjalë për të ulëritur, por për të thënë atë që është e drejtë. Jam i pari që kam kërkuar të ulen tonet dhe nuk është mirë ta teprojmë. Kemi thënë që jemi penalizuar, në disa raste na janë mohuar penallti, por po presim që gjërat të ndryshojnë.”
Pasi flet atë që mendon dhe e shqetëson, presidenti i Torinos vjen me një propozim të veçantë, sa i përket sistemit VAR. “Diskutova me trajnerin për këtë propozim, por më pas duke folur me disa gazetarë, e kundërshtova. ‘Si mund ta shohë saktë trajneri?’ Atëherë, e modifikoj propozimin tim. Nuk mund të kërkojë trajneri VAR-in, por kapiteni i ekipit, i cili është në fushë afër aksionit dhe mund të ketë një pamje më të qartë. Një thirrje për VAR-in mund të shërbejë për të përmirësuar gjërat. Teknologjia më pëlqen, por duhet ta përdorim më shumë. Kur zotëron një mjet teknologjik kaq të mirë dhe të fortë, është e drejtë ta përdorësh më shumë. Pastaj kërkesa nga ana e kapitenit është vetëm një propozim”, përfundon Urbano Kairo për “Sky Calcio Club”.