Gaspër Marku
Ka qenë ndër lojtarët titullarë të Vllaznisë së sezonit 2016-2017, madje hera-herës ka marrë edhe rolin e liderit të ekipit. Megjithatë, mënyra si erdhi situata në fund të kampionatit, me ndonjë luhatje në ndeshjet e fundit, si dhe mungesa në sfidën kryesore me Tiranën, bënë që emri i Bicajt të radhitej te lista e futbollistëve jabanxhinj, që e lanë në baltë skuadrën. Në komente të ndryshme është shkuar deri aty sa është thënë se Bicajn e kanë larguar nga Vllaznia. “Nuk më ka larguar njeri nga Vllaznia”, – thotë në një prononcim për “Sport Ekspres” shtatlarti Bicaj, të cilit kontrata i ka përfunduar në fund të majit, por ai vazhdon ta quajë veten pjesë të kuqebluve. Bicaj dhe Vrapi janë parë në stadiumin “Loro Boriçi” për ndeshjen e fundit të sezonit, edhe pse asnjëri nuk ka pasur mundësi të luante, i pari për skualifikimin nga 3 kartonë të verdhë dhe i dyti për arsye shëndetësore. Të dy janë parë pranë skuadrës pas ndeshjes, duke festuar barazimin e mbijetesës. Në vijim të prononcimit të tij, Bicaj ndalet edhe te disa komente rreth jabanxhinjve, që ditët e fundit kanë qenë jo të pakta në opinionin sportiv, që i ka quajtur këta lojtarë si e “keqja e Vllaznisë”. “E keqja e Vllaznisë nuk kanë qenë jabanxhinjtë, por gjëra të tjera, për të cilat s’dua të flas”, – shprehet Bicaj, i cili gjithsesi në këtë aspekt thotë se nuk bën pjesë te jabanxhinjtë. Ai e ka deklaruar edhe më parë se ai dhe familja e tij janë pjesë e Shkodrës.
SKUADRA – Ndër të tjera, në bisedën për “Sport Ekspres” Ditmar Bicaj ndalet edhe te skuadra dhe ecuria e saj në sezonin e fundit. Sipas tij, me përjashtime të vogla, Vllanzia ka bërë një sezon për t’u vlerësuar. Këtu ka parasysh konkurrimin në Kupën e Shqipërisë, ku thekson se vetëm gjykimi e nxori skuadrën shkodrane nga ky kompeticion në gjysmëfinale me Teutën në “Niko Dovana”. Bicaj shprehet se Vllaznia duhej të ishte të mërkurën në finale, pse jo edhe fituese e trofeut. “Vllaznia bëri më të mirën e saj edhe në kampionat, duke qenë një skuadër e barabartë edhe me pretendentet e titullit, pavarësisht se mbijetesa u sigurua me plotë meritë në ndeshjen e fundit”, – shton Bicaj. Duke iu referuar ecurisë së kampionatit, për të momenti më i mirë është ballafaqimi me Flamurtarin në “Loro Boriçi”. Këtë ndeshje e konsideron më të mirën e kuqebluve në kampionatin e fundit. Si kujtim të keq ai ka barazimin me Korabin në Shkodër, sepse përkeqësoi situatën e mbijetesës.
SHIGJETA SHKODRANËVE – Mbrojtësi flet edhe për mesazhet e ditëve të fundit, të dala nga qarqet sportive të Shkodrës, që flasin për një “Vllazni me shkodranë”. “Kjo pjesa e shkodranëve kam përshtypjen se është pak e tepruar, sepse me duket ajo puna “kalova lumin, të … kalin…”, – thekson Bicaj, duke pretenduar se ka bërë më të mirën e mundshme në shërbim të skuadrës.