Aron Ramsej po luan sezonin e fundit me Arsenalin. Kontrata e tij skadon në verë, rinovimi nuk ka ardhur dhe uellsiani do të largohet në fund të sezonit. Juventus dhe PSG janë dy nga klubet më të interesuara për 28-vjeçarin, por garën po e fitojnë bardhezinjtë.
Siç raportohet në mediat italiane, mesfushori është pothuajse një lojtar i Juventusit. Ramsej ka arritur në parim akordin, ndërsa pritet përgjigja zyrtare e lojtarit. Mesfushori do të nënshkruajë një kontratë 4-vjeçare me klubin torinez me një rrogë prej 6.5 milionë eurosh në sezon.
Rroga e Ramsejt shkon në 7 milionë euro, nëse ai zhvillon më shumë se gjysmën e ndeshjeve, ndërsa nëse luan mbi 70% të ndeshjeve, rroga bëhet 8 milionë. Juventus do të paguajë dhe 9 milionë euro për agjentët e lojtarit dhe agjencinë që zotëron të drejtat e mesfushorit të “topçinjve”.
Nga ana tjetër, Juventus është pranë një tjetër goditje me parametër zero. Drejtuesit e klubit pëlqejnë shumë Zhan-Kler Tobido, mbrojtësin të Tuluzës. 19-vjeçari luan në rolin e qendërmbrojtësit, ndërsa bën mirë dhe atë të mesfushorit difensiv. Kontrata e tij skadon në verë, por “zonja e vjetër” duhet të fitojë konkurrencën e Dortmundit, Leverkuzenit dhe Laipcigut për shërbimet e Tobido.