Norvegjia u mposht mbrëmjen e kaluar ndaj Spanjës me shifrat 2-1. Pavarësisht se përballeshin me një ndër kombëtaret më të forta në Botë, përfaqësuesja skandinave bëri një paraqitje dinjitoze dhe pozitive.
Golin e vetëm për norvegjezët e shënoi Xhoshua King, i cili mposhti De Gean nga pika e bardhë e penalltisë. Sulmuesi foli pas ndeshjes për mediat, ku ajo që tërhoqi më së shumti vëmendjen ishte komenti që bëri për mbrojtësin Serxhio Ramos.
Sipas sulmuesit të Bornmuth, Ramos pavarësisht se ka një reputacion si lojtar i pisët, është një ndër mbrojtësit më miqësor që ai ka luajtur. “Serxhio Ramos ka një reputacion si lojtar i pistë dhe i ashpër, por nuk mbaj mend të kem luajtur më parë ndaj një mbrojtësi aq ‘miqësor’. Tregoi vlera të vërteta dhe të mira sportive”, përfundoi King.