Rama shqetëson Cungun, Ethemi: Kukësi e ka grupin, por…

Situata te Kukësi nuk është e mirë në prag të ndeshjes me Skënderbeun. Verilindorët nuk do të kenë të gatshëm për takimin e radhës dyshen Cuculi-Rrumbullaku, pasi të dy këta futbollistë janë të dëmtuar. Rikuperimi i tyre është i pamundur, madje do të mungojnë edhe kundër Teutës në Kupë e Partizanit në kampionat.

Nisur nga situata e krijuar, te Kukësi po shohin mundësinë e aktivizimit të Uilliam Kordeiro. Braziliani ka sakrifikuar për disa javë dhe ende nuk është gati. Gjithsesi pritet që të kryejë disa kontrolle mjekësore për t’u përcaktuar përfundimisht nëse luan.

Për të mos mjaftuar problemet në mbrojtje, shqetëson edhe Valdet Rama. Anësori, i cili shënoi kundër Luftëtarit golin e tretë të takimit, nuk është përgatitur me skuadrën dhe është në dyshim për sfidën me Skënderbeun. Ish-lojtari  i kombëtares ka probleme me muskujt e qafës.

VALON ETHEMI – Mesfushori nga Tetova është një nga më të spikaturit te Kukësi dhe e pranon se mungesat kanë ndikimin e vet. “Mungesat bëjnë të veten, por e kemi grupin dhe lojtarët që i zëvendësojnë. Emrat që mungojnë janë të rëndësishëm dhe nga më të mirët në Superiore”, shprehet Ethemi.

Më tej ai flet për sfidën e së premtes me korçarët: “Me Skënderbeun gjithmonë ndeshje të forta. Vetvetiu motivohesh dhe është një sfidë e rëndësishme. Në çdo fushë ne shkojmë për fitore”. Në fund ai flet edhe për rivalitetin dhe diferencën me Partizanin.

“Gjashtë pikë nuk janë as pak, as shumë. Kemi dy ndeshje direkt, ka edhe ndeshje të tjera. Janë një hap para, por do shohim punën tonë. Luajmë në të njëjtin orar dhe nuk besoj se do e kemi mendjen te ndeshja e tyre. Do mbajmë mendjen te takimi ynë”, përfundoi për “Supersport” Valon Ethemi.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *