Safet Gjici, presidenti i Kukësit, shpesh ngacmon në media me deklaratat e tij. Numri një i verilindorëve kërkon me çdo kusht titullin kampion, ndërkohë që thekson se skuadra e tij e meriton për shkak të investimeve. Një përgjigje e ka marrë nga Olsi Rama, Drejtori i Përgjithshëm i Partizanit, i cili sqaroi edhe lajmet për një kalim të Rexhinaldos te të kuqtë.
“Titulli i takon Kukësit, se kemi investuar më shumë? Ia jap me gjithë qejf trofeun e merkatos. Titullin e jep fusha. Investimet të shpërblejnë, por futbolli jonë nuk po lulëzon. Fitorja vjen në aspektin sportiv. Nuk kemi luksin të bëjmë shpenzime të tepruara. Gjithçka do e tregojë fusha. Ai e ka natyrë e tij. Duhet falënderuar që investon. Ata që investojnë janë për t’u përgëzuar, sakrifikojnë për t’i dhënë dëfrim kësaj shoqërie. Karakteri i tij është i veçantë në disa drejtime. Nuk më intereson kjo pjesë. Është si puna e boksierit, që ndeshja bëhet me 15 raunde. Do e shohim deri në fund të kampionatit”.
“Rexhinaldo? Nuk ka pasur asnjë bisedim. Nëse do kishim qenë të interesuar, do të kishim kontaktuar. Normalisht ai është një lojtar i mirë”, deklaroi Rama gjatë emisionit Rubrika Sportive në RTSH Sport.