E mbani mend Alfredo Rafael Sozën? Natyrisht që po, kush nuk e kujton anësorin ofensiv që e solli në Shqipëri Dinamo në vitin 2009 dhe pas një sezoni të shkëlqyer, e mori Skënderbeu. Edhe në Korçë argjentinasi doli kampion dhe shënoi 13 gola në 29 ndeshje kampionati, duke treguar një nivel të lartë loje, ndaj në vitin 2011 firmosi një kontratë “të majme” me Sherif Tiraspolin në Moldavi. Kampionët moldavë e kishin pasur përballë kur Soza ishte me Dinamon dhe ishin impresionuar. Në Moldavi Soza nuk qëndroi gjatë, luajti 12 ndeshje e shënoi dy gola, para se të kthehej në Shqipëri, duke luajtur edhe me Flamurtarin, por pas një periudhe në Argjentinë, edhe me Laçin.
Tani Soza është 29 vjeç dhe prej dy vitesh luan në Argjentinë,duke preferuar të qëndrojë pranë familjes në Katamarka. Villas Cubas, Defensores de Esquiú dhe tani tek Atlético Policial, ku Soza vazhdon të shënojë e të krijojë gola, duke u transformuar në një sulmues të vërtetë.
Nga Argjentina e largët Rafael Soza flet për përballjen e kampionëve të Kukësit me moldavët e Sherif Tiraspol. Për “Sport Ekspres”, Soza tregon se Kukësi ka shanset e tij që të avancojë më tej duke treguar se Sherif Tiraspol nuk është dhe aq i frikshëm, kjo pasi ai e njeh mjaft mirë futbollin moldav dhe klubin kampion, sepse ka qenë pjesë e tij në sezonin 2011-2012. “Kukësi luan me skuadrën që unë kam luajtur më parë. Besoj shumë që Kukësi i ka të gjitha shanset që të avancojë më tej”.
I pyetur nëse ka diferenca të mëdha mes Kukësit dhe Sherifit, Soza tregohet besimplotë se Kukësi është më lart sesa kampionët moldav: “Po, besoj se Kukësi është më lart. E vetmja gjë që unë do të veçoja tek Sherif është se ata luajnë një futboll të shpejtë. Kjo mund të jetë e vetmja pikë e fortë e tyre”.
Mesfushori tregon se ndjek kampionatin shqiptar dhe se e sheh atë në rritje. Çfarë mund të përmirësohet? Sigurisht mungesa e golave e zbeh bukurinë e lojës: “E kam ndjekur disa ndeshje, por jo shumë. Mendoj se kampionati shqiptar po vjen në rritje. Do të doja që të luhej pak më hapur, pasi realisht prodhohen shumë pak gola”.
Nga Shqipëria në Argjentinë, për Sozën gjërat po shkojnë mirë, edhe pse në kategoritë e ulta argjentinase nuk është asnjëherë e lehtë të luash futboll i qetë, duke pasur parasysh edhe tifozeritë e nxehta, që ndonjëherë e kalojnë masën. Megjithatë, Soza thotë se pas 90-minutëshit gjërat janë në rregull: “Po luaj ne kategorinë e dytë argjentinase. Nuk kam pasur probleme me tifozeritë kundërshtare, të gjitha problemet ndodhin vetëm brenda 90 minutave, më pas gjithçka mbaron”, përfundon Rafael Soza.