Mbrojtësi dhe kapiteni i Skënderbeut, Marko Radas, ka folur për mediat para ndeshjes kundër Teutës, ku tha se deri në fund të sezonit çdo ndeshje është finale për të arritur tek objektivi Europë. “Erdhi momenti final, tani i gjithë sezoni është një fianle. Çdo gjë varet nga këto tre ndeshje. Nëse nuk fitojmë nesër, nuk mund të arrijmë tek objektivi ynë, që është Europa. Largimet? Çdo lojtar do të mendojë për vete. Normale që lojtarët e rinj kanë ambicie dhe çdo gjë mund të ndryshojë nëse nuk arrijmë tek objketivi ynë këto tri ndeshje.
Kemi pasur momente kur kemi humbur vetëbesimin, ndonjëherë në futboll ndodh kjo gjë. Kur humb besimin, duhet kohë dhe rezultate që ta fitosh sërish. Besoj që të gjithë ne do të ndryshojmë për mirë.
Kristi ka qenë sëmurë, Muzaka shpresoj të jetë gati. Por edhe nëse nuk janë gati, kemi një grup prej 20 lojtarësh dhe të gjithë janë gati për të dhënë maksimumin. Kemi edhe mbështetjen e presidentit Takaj, i cili është munduar t’i karikojë të gjithë lojtarët. Kundër Teutës, do të jetë një sfidë shumë delikate, por ne kemi shpresa për tre pikët.
KAS-i? Nuk mendoj se është një pyetje për mua, por për klubin. Normale që dhe ne lojtarët shohim TV dhe lexojmë media, flasim dhe me njëri-tjetrin për këtë ccështje. Duam të jetë një vendim pozitiv, pasi është mirë për futbollin kur skuadrat ecin përpara. Mbetemi në pritje.
Rinovimi? Me mua është e lehtë, presidenti mjafton të më flasë 2 minuta. Kjo nuk është parësore, por ndeshjet e mbetura në kampionat. Të arrijmë njëherë Europën, pastaj kemi kohë për të gjitha”, u shpreh Radas.