Marko Radas, kapiteni i Skënderbeut, doli sot para mediave dhe foli për situatën që po kalojnë korçarët. Qendërmbrojtësi pranoi situatën e vështirë dhe theksoi se do të duhen disa rezultate pozitive radhazi për të bërë kthesën.
Ai analizon gjithçka po ndodh në ekip dhe thekson se duhet që gjithsecili të kuptojë se sa peshon fanella e Skënderbeut. Objektivi me Teutën? “Të mos pësojmë gol”. Radas flet edhe për incidentin me tifozët pas takimit me Tiranën, kur pati akuza edhe për tolerim.
Marko, a mbani edhe ju lojtarët përgjegjësi për këtë situatë që po kalon Skënderbeu?
-Normal, edhe ne lojtarët mbajmë përgjegjësi për situatën që po kalojmë. Nuk është këtu vetëm trajneri apo stafi. Të gjithë kemi përgjegjësi, si për rezultatet e mira, ashtu edhe për të këqijat.
Çfarë nuk po shkon me skuadrën këto kohë?
-Nuk di ta them, ndoshta më shumë përqendrimi. Në dy ndeshjet me Tiranën dhe Kastriotin kemi pësuar gola në minutat e fundit, kur mund të merrnim një pikë. Përqendrimi ka munguar, loja nuk ka qenë e keqe> kemi krijuar raste, por nuk shënojmë gola. Mungon përqendrimi.
Vetëm përqendrimi, apo ka edhe gjëra të tjera që ndikojnë?
-Kur merr rezultate të këqija bëhet edhe psikologjike. Mendja e lojtarit, afrimet e bëra që duan kohën e vet, fati. Bëhen të gjitha bashkë.
Pse vjen tensioni në skuadër, prej humbjeve apo ka edhe probleme të tjera?
-Jo, jo. Brenda ekipit nuk ka asnjë problem. Vetëm është një periudhë që nuk e di si ta përshkruaj. Dilet vetëm me rezultate të mira. Duhen disa fitore, jo të fitosh një e të humbësh sërish.
Duket sikur nuk ka një lojtar që lëshon britmën te Skënderbeu, madje edhe nga ju që jeni kapiten. Pse jeni kaq indiferent ndaj lojtarëve të rinj, që luajnë sipas qejfit të tyre?
-Edhe unë flas, edhe Kristi e Muzaka. Kemi folur brenda dhomës, nuk tregohen këtu. Nëse nuk e kuptojnë peshën e fanellës, as unë, as trajneri, as presidenti nuk kanë ndikim.
E kishit menduar që do pësonit kaq shumë humbje?
-Jo, më ndodh për herë të parë në jetën time. Edhe në klubet jo kaq të forta sa Skënderbeu, nuk më ka ndodhur të humb tetë ndeshje në 9 takime. Është një situatë shumë e keqe. Të mendosh më shumë për këtë situatë, do shkosh më keq. Duhet ndryshuar. Mendja e gjithsecilit duhet të ndryshojë vetë.
Edhe ju vetë e keni humbur qetësinë në lojë?
-Normal, pasi edhe unë kam përgjegjësi për këto rezultate. Jam një nga lojtarët më të vjetër këtu. Kur shikoj që nuk ecin gjërat mirë javë pas jave, normal që mendoj se kam përgjegjësi.
Çfarë ndodhi mes jush dhe tifozëve pas ndeshjes me Tiranën?
-Ishte një problem me një nga lojtarët tanë. Bëra muhabet me tifozët. Ishte ndeshje e keqe, pati tension. Tifozët duan 100% në çdo ndeshje.
E radhës, ndeshja e Teutës. Është momenti i kthesës?
-Synojmë që ndeshjen e radhës të mos pësojmë gol. Kemi 7-8 ndeshje që pësojmë, tani synojmë të mos pësojmë. Nëse ndodh, do të marrësh edhe rezultat. Edhe një pikë është mirë në Durrës.