Marko Radas është personazhi më i njohur për kroatët nga Skënderbeu, natyrisht, duke qenë një kroat i cili është rritur te Dinamo dhe ka fituar trofe me shumicë në Shqipëri.
Veterani i mbrojtjes korçare ka folur sot në një intervistë për “24sata.hr” në Kroaci, duke veçuar një fakt interesant në lidhje me shqiptarët nga Kosova te Skënderbeu, Latifi, Jashanica, Kelmendi, Shkodra e Gavazaj: “Nëse shënonim golin e 2-0 në ndeshjen e parë e pastaj, kush e di nëse Dinamo do të reagonte më, por nuk kemi asnjë peng. Në Korçë atmosfera është e shkëlqyer. Ne kroatët kemi ego të jashtëzakonshme, por kosovarët… Nuk mund ta besoni. Ata janë të bindur se do ta eliminojmë Dinamon. Shikoni, Dinamo nuk është Real Madridi dhe ne jemi një ekip i rrezikshëm, nuk kemi pse të frikësohemi”, tha Radas.
Radas zbulon edhe një kuriozitet në lidhje me të atij: “Babai im është tifoz i madh i Hajdukut të Splitit. Nëse ne eliminojmë Dinamon ai do të festojë dyfish: djali i tij do të luajë në Ligën e Europës dhe Dinamo do të jetë jashtë Europës”.
Mbrojtësi kroat u tregon kroatëve edhe premion e çmendur të presidentit Takaj: “E gjithë skuadra do të marrë 200,000 euro në rast kualifikimi. Do të thotë rreth 100,000 kuna për lojtar”, shprehet Radas, i cili e pranon se Dinamo këtë radhë nuk do të zbresë në fushë me nënvlerësim: “Ata menduan se skuadra jonë nuk kishte ndryshuar. Kujdes, skuadrat ndryshojnë për dy muaj, jo më për dy vite. Na nënvlerësuan shumë dhe ne e shfrytëzuam. Tani me siguri do të tregohen më të zgjuar, nuk kam dyshime për këtë”.
Sot Dinamos i kthehet ylli i sulmit, algjeriani Sudani, por Radas nuk ka frikë: “Po, por ai nuk u stërvit për 2-3 javë dhe kjo është thikë me dy presa. Por Dinamo nuk ka zgjidhje tjetër, duhet të përdorë çdo armë që ka, edhe nëse ai luan me një këmbë. Nëse e eliminojmë Dinamon, do të më vijë pak keq, por duhet të jem i ndershëm dhe do të jap gjithçka për Skënderbeun”.