Mustedanagiç përgatit kualifikueset e Europianit: Spanja dhe Kroacia nuk më trembin

Shqipëria U-17 do të zhvillojë një turne miqësor në Kazakistan, ku do të provojë të rinjtë kuqezinj në prag të turit kualifikues për Euro 2018, me 3 ndeshje që do të luhen në tetor.

Trajneri Xhemal Mustedanagiç kërkon vëmendje më të madhe për kombëtaren që ai drejton: “Për kombëtaren e 17-vjeçarëve nuk është ende ajo rëndësi e mjaftueshme, por këtu duhet vëmendje sepse hidhen themelet për kombëtaren A. Kazakistani është një turne i fortë sepse këto shtete investojnë shumë për brezat e rinj. Në këto momente kemi disa probleme, sepse 4-5 lojtarë mungojnë, pasi nuk janë lejuar nga klubet që të bashkohen me ne, por kjo nuk ka rëndësi, sepse unë do të shikoj edhe lojtarë të tjerë. FSHF po investon përditë e më shumë në ekipet e moshave dhe dëshiroj që të gjithë të punojmë sa më shumë dhe t’u kushtojmë vëmendje të rinjve. Për mua Kazakistani është një provë gjenerale, edhe pse nuk e kemi të gjithë ekipin në dispozicion. Në ndeshjen e parë do të kërkojmë të fshihemi pak në lojën dhe taktikën tonë”.

Në kualifikuese përballemi me rivale të frikshme Spanja dhe Kroacia: “Ndeshjen e parë e kemi me Kroacinë dhe më pas me Spanjën dhe Lihtenshtejnin. Kroacia ka futbollistë që luajnë më tepër se 4-5 vite bashkë, madje mbi 10 prej tyre luajnë me Dinamon e Zagrebit, pra njihen shumë mirë mes tyre. Për Spanjën është e kotë të flasim, pasi dihet cilësia e kësaj skuadre dhe të gjithë lojtarët janë në majat e futbollit. Gjithsesi, unë gjithmonë kam qenë optimist edhe si lojtar. Do të tentojmë ta mundim Kroacinë. Nuk kam pasur frikë as skuadra si Crvena Zvezda apo Barcelona. Normalisht duhet të jemi objektivë sepse Kroacia dhe Spanja janë përpara nesh. Unë premtoj se do të përpiqemi të jemi surpriza e eliminatoreve. Dalëngadalë mendoj se Shqipëria do të barazohet me të gjithë ekipet. Shqipëria duhet të bëhet faktor në Europë dhe kjo u realizua në Euro 2016. Ka kaluar vetëm një vit dhe e kam thënë edhe më parë që Shqipëria duhet të jetë mes 20 ekipeve më të mira të Europës. Sapo kam mbaruar seleksionimin me vitet 2002. I kam vëzhguar me kujdes dhe jam i sigurt disa do të jenë pjesë e eliminatoreve që do të zhvillohen në Korçë. Smajlaj i Fiorentinës dhe Gjini e Asllani të Empolit janë emra interesantë”.

Mustedanagiç vlerëson edhe rritjen e një talenti që e njeh mirë si Keidi Bare: “Unë kam stërvitur si Keidi Baren, ashtu dhe një talent si Luka Modriç dhe mendoj se në moshën aktuale, Bare është më i mirë se Modriç në të njëjtën moshë. Ai është një reklamë e mirë për futbollin shqiptar”, tha Mustedanagiç.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

where can i buy doxycycline over the counter buy doxycycline online