Flamurtari mundet nga Apolloni, trajnerin Duro e kënaq loja

Elton Nika

Humbja e dytë për Flamurtarin në ndeshjet miqësore të verës, pas asaj me Gostivarin në Maqedoni. Dje vlonjatët janë mundur nga Apollon Kallamaria, apo Apollon Pontu, siç e ka marrë emrin tani, me rezultatin 2-1. Në fakt loja është dominuar nga skuadra e trajnerit Duro, pavarësisht rezultatit përfundimtar. 30 minutat e para të lojës kanë qenë shumë të mira për vlonjatët, të cilët kanë krijuar dy raste shumë të mira me anë të brazilianit Danilo Alvesh, por që nuk janë shfrytëzuar prej tij. Pas këtij momenti, Flamurtari sikur ka lëshuar disi në lojë dhe shqiptaro-greku Dunka ka arritur të shënojë dy herë në portën e portierit Nurkoviç.

Me fillimin e pjesës së dytë janë bërë disa zvëndësime dhe më pas të tjera nga stafi teknik vlonjat. Loja ka folur sërish për kuqezinjtë, të cilët kanë shënuar golin e vetëm të ndeshjes në minutën e 72-të, kur Musta dërgoi me kokë në rrjetë një top të krosuar bukur nga Liçaj. Nuk kanë munguar edhe rastet e tjera më pas, ku veçohen dy të sulmuesit Kamara, por rezultati nuk ka ndryshuar dhe ndeshja është mbyllur me fitoren e grekëve, ekip që militon në kategoritë inferiore. Kjo ishte miqësorja e dytë në Greqi për Flamurtarin, që pak ditë më pare fitoi 1-0 me Aleksandrian.

Apollon Pontu – Flamurtari 2-1

Shënues: Dunka 35’, 41’ / Musta 72’

Formacioni i Flamurtarit: Nurkoviç, Bicaj, Pollozhani, Siljanovski, Mersini, Useini, Sidibe, Zhufo, Alvesh, Neziraj, Bushiç. U aktivizuan edhe Musta, Jakovljeviç, Liçaj, Hoxhaj, Qarri. Trajner: Sh.Duro.

 

Duro: E doja dhe rezultatin, por loja e skuadrës më kënaq

Trajneri Shpëtim Duro është duke parë gjendjen e të gjithë lojtarëve që ka në dispozicion dhe pas ndeshjes u shpreh i kënaqur me lojën e të tijve. Ai theksoi pas ndeshjes se e donte rezultatin pozitiv, edhe pse ai është në plan të dytë në të tilla raste: “Kemi zhvilluar një ndeshje të mirë, me shumë raste për shënim. E dominuam tërësisht ndeshjen dhe duhej të fitonim, por humbëm shumë raste. Gjithsesi, loja më kanaq për faktin se po shoh që skuadra po rritet në lojë nga dita në ditë. Shumë shpejt do të jemi plotësisht gati”, – tha trajneri i vlonjatëve pas testit të djeshëm në Greqi.  

Veliu i dëmtuar, por nuk ka asgjë serioze

Mungoi në miqësoren e djeshme mbrojtësi Franc Veliu, i cili ka pësuar një dëmtim para dy ditësh dhe është në fazën e riaftësimit. Nuk është ndonjë dëmtim serioz dhe, sipas stafit mjekësor, pritet që futbollisti vlonjat të jetë i gatshëm për trajnerin Duro në miqësoren e fundit në Greqi, që do të zhvillohet ditën e diel, para kthimit në Vlorë, por kundërshtari ende nuk është konfirmuar.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

where can i buy doxycycline over the counter buy doxycycline online