Adrien Rabiot ka një dëshirë dhe këtë ua ka shprehur edhe drejtuesve të PSG. Më parë të njëjtën gjë pat bërë edhe Marko Verrati, por mesfushorin italian e “blinduan” me një kontratë me terma mjaft të larta në aspektin financiar. Dëshira e francezit është të largohet dhe për këtë po luan “kartën” e kontratës, që i përfundon më 30 qershor të vitit 2019.
Barcelona është klubi ku Rabiot dëshiron të vijojë karrierën dhe ua ka shprehur hapur drejtuesve që të pranojnë të futen në negociata. Katalanasit nga ana tjetër janë të gatshëm të presin edhe deri verën e ardhshme dhe ta marrin mesfushorin 23-vjeçar me parametra zero.
PSG nuk ka vendosur asnjë çmim fillestar për nisjen e negociatave për Rabiot, ndërkohë që tanimë synimi kryesor është të bindet presidenti Naser Al-Khelaifi, i cili duhet të pranojë shitjen e mesfushorit dhe gjithçka të mbyllet me shtrëngim duarsh. Fakti që i ka mbetur edhe një vit në kontratë krijon lehtësira dhe mesfushori pret mirëkuptimin për të vijuar një etapë të re në karrierën e vet.