Mesfushori Adrien Rabio praktikisht është një “ish” te PSG, pas refuzimit për rinovimin e kontratës, që i skadon në qershor. Në dhjetor drejtori sportiv Antero Henrike konfirmoi ndarjen totale mes klubit dhe lojtarit, i cili tashmë është jashtë skuadre. Si për të provokuar edhe më keq drejtuesit e PSG-së, Rabio ishte në diskotekë mbrëmjen në të cilën PSG eliminohej turpshëm nga Mançester Junajtid, në Champions League.
Në lidhje me situatën e mesfushorit të talentuar ka folur nëna e tij, Veronika: “Është i burgosur dhe peng i PSG-së, ka kërkuar vetëm të përmbushë kontratën e tij dhe ta respektojë atë. – shpjegoi ajo për L’Equipe – Është ndëshkuar sepse nuk shkoi në Katar kur i vdiq gjyshja dhe po i vdiste edhe i ati. Disa lojtarë ndëshkohen për 6 minuta vonesë, disa të tjerë, të dëmtuar, mund të udhëtojnë dhe të shkojnë në karnevale”.
“Im bir ndihet shumë keq për atë që po ndodh. Nuk e lejojnë të shkojë në fushën e stërvitjes, por një profesionist si ai nuk mund të qëndrojë pa stërvitur“, shtoi Veronika, që është edhe agjente e 23-vjeçarit.
Rabio ka qenë një ndër lojtarët më të rëndësishëm të PSG dhe pjesë e kombëtares franceze, por që kur mbeti jashtë Kupës së Botës 2018 vendosi të largohej nga Franca dhe kjo tërboi PSG-në, që nuk dëshironte ta shiste dhe as ta humbiste falas. Barcelona, Bayern dhe klube angleze e kërkojnë mesfushorin e talentuar.