Vendi i parë i Partizanit pas dy fazave të luajtura, e ka një dirigjent që drejton gjithçka dhe ai është padyshim Skënder Gega. Pa i mohuar meritat teknikut, në ekipin e kuq është dhe një lider i heshtur, i cili quhet Bruno Telushi.
Kokëulur, punëtor dhe luftarak deri në pikën e fundit. Bruno nuk ka dëshirë të jetë në qendër të vëmendjes, si në media po ashtu dhe në rrjete sociale. 28-vjeçari çdo gjë që ka, e thotë në fushë, me paraqitjet e tij dhe me sakrificën që shfaq gati në çdo ndeshje.
Erdhi te Partizani dhjetorin e vitit 2017, pasi ndërpreu aventurën e tij në Kroaci me Slaven Belupon. Janarin e vitit të shkuar firmosi për ekipin kryeqytetas, teksa debutimi erdhi në ndeshjen ndaj Flamurtarit, skuadra e zemrës së mesfushorit, të cilën Partizani e humbi.
Dhjetë ndeshje sezonin e shkuar, mes shumë ulje-ngritjeve, kjo edhe për shkak të sezonit zhgënjyes të ekipit të kuq. Ardhja e Skënder Gegës në krye të Partizanit, duket se e rilindi Bruno Telushin, i cili kishte punuar dhe te shpresat me teknikun.
Ky sezon mund të veçohet si një ndër më të mirët, 18 ndeshje të luajtura nga 19 të mundshme, ku vetëm në dy është zëvendësuar, në derbin e parë ndaj Tiranës dhe në sfidën e fundit të luajtur në Korçë. Katër gola të shënuar, dy nga pika e bardhë dhe dy nga goditjet e dënimit, të dyja “perla” të vërteta.
Barometër për mesfushën e Partizanit, ku çdo lëvizje e të kuqve kalon më parë nga këmbët e tij. Prej kohësh, “demat e kuq”, po vuanin për “dem” të vërtetë në mesin e fushës, që edhe krijonte përpara, por edhe “shkatërronte” sulmet e kundërshtarëve prapa.
Sfida me Skënderbeun i nxori në pah të gjitha cilësitë që kemi përmendur më sipër, ku mjafton të përmendim faktin, që Telushi vinte në ndeshjen e Korçës në gjendje gripale dhe një natë më parë ka qenë me serume.
Penalltia e humbur ndaj Skënderbeut, padyshim është diçka që Telushi e ndjeu shumë, por gjithsesi 28-vjeçari, si një lojtar me eksperiencë arriti të gjente forcë për të lënë pas momentin e keq psikologjik dhe vijoi të ishte i qëndrueshëm në mesin e fushës për ekipin e tij.
Partizani, numëron plot 26 vite pa titull, ku i fundit ka qenë ai i vitit 1993. Aktualisht, të kuqtë kanë një diferencë me Kukësin, ndjekësin më të afërt, prej pesë pikësh. Janë edhe 17 ndeshje për t’u luajtur deri në fundin e kampionatit, por ekipi i Partizanit dhe tifozeria e kuqe duket se më në fund e kanë gjetur “ushtarin” që i mungonte prej vitesh…
ERDI KËRÇIKU