Laçi pritet të jetë më i plotë me rinisjen e kampionatit. Kurbinasit në tre javët e para kanë arritur të marrin pesë pikë, teksa triumfuan me Luftëtarin në shtëpi, kurse në transfertë me Kukësin dhe Skënderbeun kanë marrë nga një pikë.
Trajneri Artan Mërgjyshi nuk e ka pasur ekipin e plotë këtë periudhë. Vetëm ndaj Skënderbeut debutuan Marijan Altiparmakovski dhe Sebastian Toro, ndërkohë që ende Ivan Galiç dhe Bojan Najdenov nuk kanë zbritur në fushën e blertë.
Kroati për ndeshjen me Partizanin do të jetë gati, kurse për mesfushorin maqedonas pritet vendimi i UEFA-s. Estegal në Iran nuk ia ka dhënë lejekalimin 26-vjeçarit, por pritet që FIFA të japë “OK”-in dhe Najdenov të jetë gati për stafin.
Gjithashtu së fundmi janë afruar edhe lojtarë të tjerë, ku spikat sulmuesi Xhevahir Sukaj. Shkodrani ka dalë në stërvitje dhe ndryshe nga një sezon më parë, punët me kilogramët i ka mirë. Tashmë i duhet të marrë ngarkesë dhe të arrijë formën e duhur.
Elvi Berisha gjithashtu pritet që të japë kontributin e tij për kurbinasit. Anësori është projektuar për të zëvendësuar Myrto Uzunin e shitur te Lokomotiva e Zagrebit.