Një klub nuk mund të bëjë asgjë përballë insistimit të një lojtari. Mund të rezistojë, të durojë, të bëjë presion, por në fund do të triumfojë dëshira e futbollistit.
Nejmar e ka shprehur qartë dëshirën për t’u rikthyer te Barcelona dhe PSG është “dorëzuar”. 300 milionë euro kërkojnë kampionët e Francës për kartonin e sulmuesit brazilian, por Leonardo mendon ndryshe.
Sipas raportimeve të “Le Parisien”, drejtori sportiv i PSG-së ka vendosur të ulë çmimin e lojtarit. Francezët kërkojnë 222 milionë euro për të lënë të lirë 27-vjeçarin, shumë e njëjtë me atë që paguan para dy vitesh për ta “rrëmbyer” nga Katalunja.
Nejmar përfiton momentalisht një rrogë prej 30 milionë eurosh në sezon, ndërsa Barça nuk i ofron më shumë se 24 milionë të tilla në vit. Aspak problem për brazilianin, i cili ka pranuar se nuk duhet të ishte larguar kurrë nga kampionët e Spanjës dhe tani ka fatin për të korrigjuar gabimin e bërë dy vite më parë.