Sa vjen e rëndohet situata e sulmuesit Usman Dembele te Barcelona, pasi investimi madhor i klubit blaugrana nuk po justifikohet.
Francezi nuk po jep atë që pritet prej tij dhe përveç kësaj, sjellja e tij nuk është aspak ajo e pritura prej tij.
Një karakter aspak i qetë, sjellje të çuditshme dhe mungesë respekti për ekipin dhe trajnerin, këto janë akuzat që ngrenë mediat spanjolle ndaj ish-sulmuesit të Dortmundit, ndërkohë që Barcelona nuk reagon, sinjal se ato që shkruhen nuk janë të ekzagjeruara.
Për të sqaruar disa gjëra, Barcelona ka takuar të hënën agjentin e Dembelesë, Musa Sisoko, për të diskutuar për këtë situatë.
Vonesat në stërvitje, apo ajo që ndodhi javën e shkuar, kur Dembele ishte i sëmurë dhe për një orë e gjysmë askush në klub nuk e kontaktonte dot, kanë krijuar jo pak shqetësim.
Agjenti i tij është munduar të minimizojë gjithçka, duke e quajtur sjellje normale për një lojtar mjaft të ri dhe ende të papjekur, por në Barcelonë nuk do të presin gjatë.