Humbja 3-1 me Volfsburgun është shoqëruar me kritika. Napoli i Ançelotit nuk ka bërë mirë në aspektin mbrojtës dhe vetë trajneri italian e pranon se kanë bërë hapa prapa. Gjithsesi ai mundohet të shohë edhe gjërat pozitive, si fakti që kjo humbje do t’u japë tjetër motivimin lojtarëve për të reaguar para nisjes së kampionatit.
“A është për t’u shqetësuar pas kësaj humbjeje? Po, duhet të jemi të shqetësuar, pasi shqetësimi të jep diçka më shumë. Ishim paksa të relaksuar dhe bëmë një ndeshje të shëmtuar”, ka deklaruar Karlo Ançeloti në “Sky Sport 24”.
Më tej ai ka analizuar çfarë nuk shkoi me skuadrën e tij dhe italiani thekson se u mungoi ekuilibri dhe tanimë duhet punuar me këtë gjë, pasi edhe po vuajnë në mbrojtje.
“Në aspektin tekniko-taktik kemi sulmuar më mirë, por kemi bërë keq në mbrojtje. Në këtë moment ne provomë të shtyjmë lart dhe mendoj se në këtë pikë është më mirë të ulim linjën dhe të jemi më kompaktë në mbrojtje. Me Volsburgun kemi pasur probleme me ekuilibrin. E imagjinoj një Napoli të plotë. Me mbajtjen e topit jemi përmirësuar, por në aspektin mbrojtës kemi bërë hapa prapa”, ka deklaruar tekniku i Napolit.