Milani, merkaton e verës që lamë pas, u përforcua me dy lojtarë, të marrë nga skuadra e Napolit. Pepe Reina dhe Ivan Striniç, ishin dy lojtarët e ardhur te kuqezinjtë, të cilët u quajtën si blerje cilësore, pasi eksperienca e Reinës dhe paraqitjet e mira që dha në Botëror Striniç jepnin shpresë për kuqezinjtë.
Gjithsesi, në ambientin kuqezi u tronditën jo pak, kur u bë me dije që mbrojtësi kroat kishte probleme kardiake dhe nuk mund të luante. Ka kaluar më shumë se 3 muaj që nga ajo kohë dhe duket se çdo gjë ka ndryshuar dhe Striniç është gati për t’u rikthyer në fushën e blertë.
“Ajo që ndodhi tre muaj më parë ishte si një rrufe në qiell të hapur për mua. Doktorët më bënë me dije që nuk duhet të luaj për të paktën tre muaj dhe më pas do të shihnim situatën. Tani që çdo gjë ka kaluar, kuptuam që ka qenë një simptomë e ardhur nga aktiviteti fizik dhe jo ndonjë sëmundje”.
“Gjithmonë kam menduar se do të shkonte mirë, por gjithsesi, je në stres dhe ke dyshimet e tua se mund të ketë diçka të keqe në këtë mes. Jetova me këtë gjë për disa muaj dhe më duhet ta pranoj që isha i padurueshëm dhe nervoz, por më në fund çdo gjë po mbaron. Të hënë do të nis stërvitjen dhe jam shumë i lumtur”.
“Objektivi është të kthehem sa më shpejt të jetë e mundur, por jam disi i frikësuar se nuk do të jem në maksimumin e gjendjes time fizike, për disa muaj. Nuk kam menduar kurrë për tërheqjen, sidomos pas Botërorit, i cili më dha një jetë të re”, përfundoi mbrojtësi.