Sezonet më të mirë në karrierë i zhvilloi me Fiorentinën e Prandelit, ekip me të cilin arriti deri në çerekfinalet e Champions Ligës në vitin 2010. Ekipi nga Firence u eliminua nga Bajerni i Mynihut pas dy ndeshjeve spektakolare dhe plot polemika (Klose shënoi një gol në pozicion jashtë loje në Mynih), ndërsa Stevan Jovetiç u largua drejt Mançester Sitit.
Talenti i tij nuk vihet në dyshim, por problemet fizike nuk iu ndanë kurrë. Pas aventurës angleze erdhi kalimi tek Interi, më pas Sevilja dhe tashmë Monako. 29-vjeçari ofensiv shënoi 9 gola në sezonin e kaluar, ndërsa qëndroi 3 muaj pushim këtë sezon si pasojë e dëmtimit të radhës.
Jovetiç u rikthye në ndeshjen kundër Nicës, që përfundoi në barazim 1-1. Ai u fut në fushë në minutën e 78-të, por ka ndjerë sërish dhimbje. Kësaj radhe bëhet fjalë për probleme në gju, çka do e detyrojë malazezin të qëndrojë pushim dhe të nisë dhe njëherë fazën e rikuperimit.