“Problemet” dhe objektivi madhor, rrëfehet Vincent Atinga

Vincent Atinga ka rifituar një vend titullari me Tiranën dhe sigurisht që ndihet mirë. Ai u afrua te bardheblutë këtë verë dhe në fakt nuk ka qenë e lehtë në fillim. Ndryshojnë shumë gjëra, por ganezi tregon se po përshtatet dhe ndihet mirë në vendin tonë.

“Nuk ishte e lehtë për mua në fillim.  Ushqimi është ndryshe, kultura dhe moti gjithashtu. Por unë po përshtatem gradualisht, veçanërisht me motin dhe ushqimin. Kështu që për momentin mund të them se puna vazhdon normalisht. Shokët e mi të ekipi gjithashtu po më ndihmojnë me gjuhën këtu”, ka deklaruar Atinga për “ghanacrusader.com”.

Më tej qendërmbrojtësi e tepron disi me objektivin: “Dua të fitoj kampionatin dhe Kupën e Shqipërisë me klubin tim, pasi këtu ke mundësinë të luash në Europë kur fitoni titullin. Prandaj ky është qëllimi kryesor këtu”. Dihet që Tirana ka grumbulluar vetëm nëntë pikë pas 10 ndeshjeve të para në kampionat, ndaj titulli kampion është një mision i pamundur.

Në aspektin personal, 25-vjeçari kërkon të bëhet një nga mbrojtësit më të mirë në Superiore. “Do të doja të isha një nga mbrojtësit më të mirë në kampionat, kështu që po punoj shumë çdo ditë për të realizuar këtë ëndërr”, është shprehur ganezi, i cili deri më tani është aktivizuar në gjashtë ndeshje me Tiranën dhe i ka luajtur të gjitha të plota.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *