Privatizimi i Tomorit, Jançe zbulon planin e Mela Holding dhe TPN Development

Kanë kaluar 95 ditë nga kërkesa zyrtare që Grupi Mela Holding Group me qendër në Venezia dhe firma shqiptare TPN Development i kanë drejtuar Bashkisë së Beratit për privatizimin e FK Tomori, kërkesë e cila është bërë në fundin e muajit tetor 2018. Duke qenë se ajo është “trazuar” mediatikisht këto ditë, kujtojmë se detaje të kësaj marrëvesheje janë publikuar ditë më parë në SportEkspres.com, ku negociatori shqiptar Thoma Jançe sqaron se kjo kompani ka kërkuar 74% të aksioneve të klubit, sipas Ligjit aktual të Sportit në Shqipëri.

“Kompania Mela Holding Group dhe TPN Development i kanë bërë një kërkesë Bashkisë Berat në fundin e muajit tetor 2018 për 74% të aksoneve të FK Tomori. Kompania Mela Holding Group ka në drejtimin e saj një shqiptar nga Serbia, si edhe aksionerë të tjerë shqiptarë me biznes bazë në fasoneri dhe hoteleri-turizëm. Futbollin në Berat e shohim si përbërës të rëndësishëm të jetës qytetare dhe ekonomike të ambientit”, kështu theksoi fillimisht Jançe në këtë deklaratë, njëherësh edhe si përfaqësues i TPN Development.

Dhe negociatori beratas që kërkon ta kthejë Tomorin në një klub serioz, autoritar e të suksesshëm, tregon edhe qëllimin e kësaj nisiative. “Nëse Mela Holding Group dhe TPN Development e privatizojnë Tomorin, klubi do të riorganizohet me standardet e kohës, me akademinë e tij dhe me kujdesin për moshat. Qëllimi ynë është ringritja vit pas viti deri në vendet elitare të futbollit shqiptar, duke promovuar kulturën sportive e qytetare, kulturën në përgjithësi, si dhe sipërmarrjen e turizmin. Kjo kompani i ka të gjitha mundësitë ta realizojë këtë projekt”.

Thoma Jançe deklaron se ka informacion nga Bashkia për kontaktet që ajo ka me një zyrë auditimi për të bërë vlerësimin financiar dhe më pas shitjen e aksioneve, ndërsa sipas tij, përgjigja pritet brenda muajit shkurt 2019.

AGRON KAJA

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *