Kukësi do të ndeshet me skuadrën e Torpedo Kutasi në turin e tretë kualifikues të Europa League-s. Shorti duhet të thuhet se ishte i kënaqshëm deri diku, kjo për faktin se kuksianët mund të kishin “peshkuar” skuadra shumë herë më të forta.
Verilindorët bënë shumë pak ndaj Karabakut në Champions, por ndaj skuadrës gjeorgjiane skuadra pritet që të ketë tjetër fytyrë. Nëse me Karabakun u pa një ekip që gjatë gjithë kohës u mbronte dhe rriskonte shumë pak, ndaj skuadrës së Torpedos, tekniku Cungu me shumë gjasa do të bëjë ndryshime në modul, pasi tani duhet më shumë vëmendje në fazën sulmuese, ku kanë qenë dhe më evidente problemet e Kukësit.
Torpedo nuk e ka cilësinë Karabakut në sulm dhe me shumë mundësi do të kemi një skemë me dy mbrojtës qendre, çka do krijonte hapësirë për të shtuar numrin e forcës sulmuese. Gjithsesi, ndeshja është të enjten dhe tekniku shkodran ka kohën e mjaftueshme në dispozicion për të provuar disa opsione. Synimi kryesor është që të merret një rezultat sa më pozitiv në Gjeorgji, që një javë më pas Kukësi të ketë mundësin të marrë një kualifikim të madh në sytë e tifozëve të tij.
Edhe pse situata nuk është shumë e mirë pas mbylljes së aventurës në Champions drejtuesit e dinë mirë se llogaritë duhet të bëhen në fund, pasi në objektivi i grupeve të Europa League-s është ende i arritshëm, pavarësisht se është një mision shumë i vështirë.