Nevil Dede dhe Elvin Beqiri kanë dalë sot para mediave dhe kanë folur për grumbullimet e para që do të bëjnë si trajnerë të kombëtareve U19 dhe U17. Ata kanë ndarë pikëpamjet e tyre, ndërkohë që kanë arsyetuar edhe përzgjedhjet e bëra.
NEVIL DEDE – “Ky është një grumbullim që bëhet për të parë elementët dhe prurjet e reja që vijnë nga seleksionimet që bëjmë nga stafi, si në Maqedoni, Greqi apo Itali dhe në Shqipëri. Informacioni që kam marr është i mirë, por më qartë do të flas pasi t’i shoh. Zhvillimi i lojtarëve në këto mosha është pak delikat, pasi ata mbarojnë te moshat U-19 dhe është e vështirë të kalojnë tek ekipet e para. Kanë shumë ulje ngritje dhe kjo është diçka që nuk më bën të qartë. Kam një listë të gjatë dhe do të kenë vëmendjen time. Mendoj se do të bëjmë një punë të mirë.
Përzgjedhja – “Maqedonia është si një treg për të ushqyer moshat. Nuk ka qenë zero, por meriton një vëmendje të madhe dhe do të jenë të rëndësishëm për ne, pasi janë shqiptarë siç ka qenë Kosova. Edhe në Angli ka shumë shqiptarë dhe duhen parë për të forcuar ekipin tonë kombëtar.
“Nëse dy lojtarë janë të barabartë, them se do të jetë i avantazhuar ai që luan në Shqipëri. Mund të jenë edhe 10% më shumë të avantazhuar. Sa më shumë nxjerrim nga këtu, aq më shumë ndërgjegjësohen ekipet. Nëse vazhdojmë me këto politika, do të jetë më mirë. Raporti do të jetë 60-40 për lojtarët shqiptarë”.
ELVIN BEQIRI – “Shpresoj që vlerat e lojtarëve që do të grumbullojmë të shfaqin vlerat e tyre dhe të jemi sa më të kënaqur me performanca e tyre gjatë këtij aktiviteti. Të punosh me moshat nuk është e lehtë. Brezat janë të ndryshëm dhe shpresoj që brezi i 2003 të jetë i mirë. Kemi parë shumë elementë cilësor dhe shpresoj të jenë të mirë. Është fat për ne që kemi edhe një tjetër turne pas 2 muajsh në Maltë dhe do të shohim elementë të rinj sërish. Shpresoj të gjejmë më të mirët për eliminatoret zyrtare, megjithatë lufta është e gjatë deri në nëntor dhe kanë rrugë të gjatë deri tek ekipi A”.
“Kam menduar që t’i ndaj në dy grupe pasi kemi shumë lojtarë për t’u grumbulluar. Në pamundësi për t’i thirrur të gjithë i kemi ndarë në dy grupe. Do të shohim cilësitë e tyre, duke shpresuar të gabojmë sa më pak. Në përgjithësi, të gjithë lojtarët kanë pasur dëshirë të madhe të përfaqësojnë Shqipërinë. Dëshira është e madhe dhe ne duam të zgjedhim ata që janë të zotët për të luajtur. Ne falënderojmë prindërit që i afrojnë te Kombëtarja. Kryesorja është që ne zgjedhim më të mirët dhe të denjët për Kombëtaren”.