Kevin Mirajas ka qenë edhe herë të tjera pranë Fiorentinës, ndërsa tani gjithçka ka shkuar mirë. Lojtari belg është zyrtarisht pjesë e ekipit “Viola” dhe flet fjalët e para si lojtar i ekipit të Piolit. Vetë lojtari tregon për tratativat e ndodhura më parë dhe ndihet gati për të nisur aventurën e re.
“Para dy vitesh, Fiorentina interesohej për mua. Evertoni kërkonte shumë para dhe nuk u bë asgjë për kalimin tim në Firence. Tani jam 30-vjeç, ndihem më i pjekur, kam më shumë përvojë dhe ndihem i lumtur që ndodhem këtu.
Kur mora vesh që do të vija këtu, fillova të shihja disa ndeshje të Fiorentinës. Njoh disa nga lojtarët francezë të ekipit dhe jam integruar shumë mirë menjëherë.”
Mirajas ka dhe një ide për Fiorentinën. Ai dëshiron një lojtar të kombëtares belge në Firence.
“Belgjika ka shumë lojtarë të talentuar dhe njëri prej tyre është Naser Çadli. Duke llogaritur që ai luan në kategorinë e dytë (aktivizohet me Uest Bromiç Albion, të cilët u rrëzuan nga Premier Liga), do i këshilloja të vinte këtu dhe në të njëjtë kohë do i sugjeroja Fiorentinës të marrë Çadlin, i cili është një futbollist shumë i fortë”, përfundon Kevin Mirajas.