Lukas Paketa është prezantuar gjatë ditës së sotme si lojtari më i ri i Milanit. Kuqezinjtë paguan 35 milionë euro te Flamengo për kartonin e 21-vjeçarit të talentuar dhe ai shihet si shpresa e klubit dhe tifozëve për rikthimin e Milanit në nivele të larta.
Gjatë prezantimit të brazilianit kanë folur presidenti Skaroni, lojtari dhe dyshja Leonardo-Maldini. Fjalë të rëndësishme për të nga drejtuesit e “Djallit”, ndërsa Paketa, i cili ka zgjedhur numrin 39, nuk e fsheh lumturinë e tij për nisjen e aventurës së re dhe tregon se sa të lehtë e kishte për të vendosur dhe për të pranuar ofertën e Milanit.
SKARONI – “Është një ditë e rëndësishme për ne, prezantojmë lojtarin tonë të ri, Lukas Paketa. Dje ishte në Milanelo dhe u stërvit së bashku me ekipin tonë. Prezenca e Lukas këtu është për të treguar impenjimin që ka Elliot për të rikthyer Milanin aty ku presin të gjithë. Kjo është një e dhënë e rëndësishme, Paketa është braziliani i 35-të në historinë e Milanit. Zbulimi i tij është bërë nga Leonardo, i cili ka përzgjedhur me sukses lojtarë si Pato e Tiago Silva. Jam i sigurt se kjo linjë do vijojë të ruhet. Ky operacion nuk do të thotë se Milani shkon kundër rregullave të FFP, ky është synimi ynë kryesor.”
PAKETA – “Ndjenja që po përjetoj është nga më të bukurat e mundshme, jam shumë i lumtur dhe i përfshirë në këtë aventurë të re. Jam i lumtur, i falënderoj të gjithë dhe shpresoj t’i pasqyroj në fushë pritshmëritë ndaj meje. Kaka? Ai është një lojtar i madh, një idhull për mua dhe i kam ndjekur ndeshjet e tij. Shpresoj të ndjek rrugën e tij dhe të sigurojmë shumë fitore dhe trofe. Kur Milani, që ka një histori të madhe, të thërret nëpërmjet Leos, t’i ndjen lumturi. Vendosëm menjëherë me familjen time se Milani do të ishte zgjedhja e duhur për mua. Kur vendosa të vija këtu, isha akoma nën kontratë me Flamengon dhe u përqendrova në sezonin me ta. Më pas, pasi mbaroi sezoni, u përqendrova në aventurën e re. Milani është një ekip i madh, me histori dhe suksese të mëdha. Futbolli italian është shumë fizik dhe shumë taktik, ndërsa në Brazil është pak më ndryshe. Do të jem i vëmendshëm ndaj çdo detaji që mund të më mësojnë këtu. Dua të zbres në fushë dhe të jap maksimumin me alegri. Gatuzo? Mbaj mend kur isha i vogël dhe e zgjidhja gjithmonë Gatuzon në ekipet e mia në ‘play-station’… Ai ka qenë një lojtar i madh dhe është një ndjesi unike të stërvitem nga ai.”
LEONARDO – “Presidenti u tregua i këndshëm me referencën e bërë për lojtarët brazilianë. Lukas është një lojtar shumë i rëndësishëm dhe vjen nga një ekip, që për pak mund të fitonte titullin. Sigurisht që duhet të përshtatim karakteristikat e tij në projektin tonë. Paketa ka potencial për t’u rritur si lojtar, ndodhet në një pikë fillimi, pavarësisht se ka luajtur në nivele të larta.”
MALDINI – “Lukas është një lojtar i madh, teknik dhe me mentalitet të fortë. Ai duhet të përshtatet me futbollin tonë dhe zotëron gjithçka për t’ia dalë mbanë. Ai ka luajtur si gjysmë sulmues dhe anësor në mesfushën me tre lojtarë, por do të vendosë trajneri për pozicionin e tij në fushë.”