Prençi: Lushnjën e zgjodha sepse dua të luaj rregullisht

Mbrojtësi dibran pohon se me skuadrën myzeqare mund të luajë rregullisht dhe dëshiron të japë kontributin e tij për të mirën e saj 

Arjan Likja

Trajneri Bano ka kompletuar mbrojtjen me afrimin e dibranit Elvis Prençi, i cili tashmë po stërvitet nën urdhrat e tij në Pogradec. 24-vjeçari vjen te myzeqarët pas përvojës me Partizanin, Kukësin, Teutën dhe Korabin. Ai ka firmosur kontratën 1-vjeçare dhe drejtuesit e Lushnjës kanë zëvendësuar kështu largimin e papritur të beratasit Enea Bitri.

Prençi pritet të jetë një nga kolonat kryesore të mbrojtjes së Lushnjës në Superiore sezonin e ri. Edhe pse është 24 vjeç, ka një përvojë të madhe, madje ka qenë edhe pjesë e kombëtares U-21 të Shqipërisë. Pas ditëve të para me skuadrën e re, futbollisti dibran jep përshtypjet e para si vërdhejeshil dhe tregon për “Sport Ekspres” pse vendosi t’i bashkohet skuadrës së trajnerit Bano: “Sezonin e kaluar kam qenë pjesë e Korabit në Superiore, – thotë në fillim Prençi. – Kapitullimi financiar dhe dalja e parakohshme nga Superliga bëri që për ne lojtarët titullarë të Korabit të kishte interesim nga ekipe të ndryshme të elitës. Kjo gjë ndodhi edhe me mua. Disa ekipe të Superiores më kontaktuan për të më përfshirë në planet e tyre pa përfunduar ende sezoni i kaluar. Ndër këto oferta përzgjodha Lushnjën dhe këtë e bëra për shumë faktorë. Shkaku kryesor i zgjedhjes time është se te Lushnja e shoh më të garantuar vendin e titullarit në formacion. Natyrisht, oferta për t’iu bashkuar Lushnjës e ka pikënisjen te trajneri Artan Bano. Për momentin, mund t’ju them se kam gjetur një ambient të ngrohtë nga stafi teknik dhe nga futbollistët. Me një pjesë të mirë të tyre njihem që kur luaja me ekipe të tjera. Kam luajtur me Kukësin ndaj Lushnjës para 5 vjetësh dhe shumë lojtarë i gjej përsëri këtu në skuadër. Dëshiroj që me Lushnjën të bëj një paraqitje dinjitoze për të ndihmuar sado pak në realizimin e objektivave që do të kemi në kampionat”, – ka theksuar mbrojtësi Prençi.

Ndërkohë, skuadra vazhdon përgatitjet me ritëm të lartë në qytetin e Pogradecit, ku pozitiv është fakti se nuk ka pasur probleme dëmtimi. Trajneri Bano nuk ka të gatshëm vetëm mesfushorin Korreshi, i cili do të mungojë për një kohë të gjatë, pasi ka pësuar një dëmtim serioz në gju gjatë ndeshjes miqësores me Leçen në Itali.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

where can i buy doxycycline over the counter buy doxycycline online