Lukas Paketa u zyrtarizua gjatë ditës së djeshme si lojtar i Milanit, tha fjalë të bukura për klubin e famshëm, tregoi përulësi dhe gatishmëri për të punuar fort e mësuar, nuk e fshehu lumturinë që do të stërvitet nga Gatuzo dhe premtoi alegri dhe pasion për tifozët kuqezinj. Pritshmëritë ndaj brazilianit të talentuar janë të mëdha dhe të gjithë po presin momentin që Paketa të rikthejë “sambën” brazilianë në “San Siro”.
Milani pagoi 35 milionë euro te Flamengo, ndërsa pesë të tjera do i paguajë në formë bonusesh për katër vitet e ardhshme. Por, sigurimi i shërbimeve të tij nuk ishte e thjeshtë. Në garë për 21-vjeçarin ishin shumë klube, mbi të gjithë Reali i Madridit.
Kuqezinjtë kishin si armë të fortë Leonardon, i cili bëri një lëvizje të shpejtë dhe bindi lojtarin dhe agjentët e tij. Siç raporton “Gazzetta dello Sport”, nëse Milani e shet në të ardhmen Paketën, ai dhe agjentët e tij do të përfitojnë 25% të shumës së kartonit.