Valeri Bozhinov është një emër i njohur i futbollit. Sulmuesi ka provuar të luajë me klube si Fiorentina, Juventusi e Mançester Siti. Futbollisti 33-vjeçar sezonin e fundit e ka mbyllur në Bullgari, teksa me Levski Sofia ka shënuar katër gola në 11 ndeshje.
Në pjesën e parë të sezonit kishte shkëlqyer me Botev Vratsa, duke shënuar 7 gola po në 11 përballje. Tashmë nga Maqedonia e Veriut vjen një lajm i bujshëm dhe është Shkëndija e Tetovës klubi që ka tentuar ta afrojë sulmuesin bullgar.
“Sportmedia.mk” raporton se para pak ditësh tetovarët i kanë bërë një ofertë sulmuesit, i cili ka qenë i prerë dhe nuk e ka pranuar propozimin e bërë. Shkëndija një ditë më parë ndërpreu bashkëpunimin me sulmuesi Samir Fazli dhe po tentohet afrimi i një sulmuesi cilësor.
Objektivi i tyre për të shkuar të paktën në grupet e Europa League kërkon një ekip të plotë dhe drejtuesit do të bëjnë çmos t’ia ofrojnë trajnerit Qatip Osmani diçka të tillë. Bozhinov refuzoi, por në vazhdim do tentohen emra të tjerë që mund të mbajnë peshë te Shkëndija.