Ligamenti ndali Besar Musollin dhe e largoi edhe nga Kukësi. Prej 7 vitesh mesfushori jepte kontributin për verilindorët, teksa edhe fitoi gjithçka mundej në Shqipëri. E nisi me Kupën: madje shënoi edhe penalltinë vendimtare në finale kundër Laçit.
Më pas Superkupa dhe titulli kampion. Kaq ka fituar Kukësi dhe Musolli ka qenë në fushë duke dhënë kontributin e tij. Gjithsesi, shtrëngim duarsh dhe tashmë lojtari duhet të mendojë të rikuperohet. Është vetëm 29 vjeç dhe e presin vite të tjera në futboll.
Së fundmi është zbuluar edhe një prapaskënë, që kishte ndodhur gjatë kësaj vere. Për Musollin ka pasur interesim nga Emiratet e Bashkuara Arabe, madje jo vetëm kaq. Oferta ka qenë konkrete dhe Kukësi do të përfitonte pak nga marrëveshja.
Por për Musollin oferta ishte super. Telesport raporton se bëhej fjalë për një pagë që shkonte në 20 mijë euro në muaj. Të përfshira edhe shtëpia e makina, sikurse ndodh zakonisht në Lindjen e Mesme. Mesfushori ishte dakord me kushtet dhe valixhet i bënte gati për pesë minuta.
Gjithsesi kontrata ishte pengesë. I përfundonte pas kupave të Europës dhe në këto kushte duhej paguar për kartonin e tij. Oferta u bë, por ishte e pamjaftueshme sipas drejtuesve verilindorë. Kukësi nuk e lëshoi as për kontratën e jetës, ndërsa sot është lojtar i lirë. Kanë kaluar pak muaj nga ajo ofertë, ndërkohë që Musolli pat pranuar më pas pa hezitim edhe rinovimin e kontratës