Humbja e mbrëmshme kundër Kaljarit ka zhytur Interin në krizë. Objektivi i kualifikimit në Champions është në rrezik dhe Milani e Roma mund t’i parakalojnë në renditje zikaltrit, nëse fitojnë ndeshjet kundër Sasuolos dhe Lacios.
Luçiano Spaleti nuk po arrin të bëjë ekipin të luajë mirë dhe të arrijë rezultatet e duhura dhe ai mund të shkarkohet në fund të sezonit. Xhuzepe Marota po punon për të gjetur zëvendësuesin e tij. Emrat e Antonio Kontes dhe Zhoze Murinjos qarkullojnë prej kohësh, por së fundmi ka dalë në skenë dhe një trajner tjetër.
Siç raportojnë mediat italiane, Interi po mendon për t’i dhuruar stolin Maks Alegrit. Trajneri livornez me shumë mundësi do të largohet nga Juventusi në fund të sezonit dhe pëlqehet shumë nga Marota dhe presidenti Zhang.
Alegri ka oferta të shumta dhe nga klube të huaja, por zikaltrit po mendojnë t’i ofrojnë një projekt ambicioz dhe një rrogë prej 7.5 milionë eurosh në sezon.
Trajneri i bardhezinjve, i cili ka fituar titullin kampion me Milanin dhe Juventusin, mund të tentojë ta bëjë diçka të tillë dhe me Interin, duke thyer kështu një rekord të bukur dhe duke u futur në histori më fitimin e titullit kampion me tre ekipet më të mëdha italiane.