“Ishim mirë kur ishim keq”, është shprehja që po dëgjohet gjithnjë e më shpesh nga gojët e tifozëve të zhgënjyer të Partizanit. Jo të gjithë, ka ende shumë optimistë, që e shohin si një fazë kalimtare këtë fillimsezoni kaq të vuajtur, pa fitore e pa gol të shënuar në 4 ndeshje.
E megjithatë, në këtë moment të jesh tifoz i Partizanit është e sikletshme. Klubi më i madh i Superiores është i fundit në renditje, skuadra duket krejt e çoroditur, ndërsa “formacioni” jashtë fushe është i frikshëm: Gaz Demi ka disa vite që e ka kthyer Partizanin në pretendent madhor për titull dhe Luçiano Moxhi dirigjon veprimtarinë sportive për të hedhur hapin e madh drejt trofeut të ëndërruar. Po atëherë, çfarë nuk shkon?
Ish-trajneri/këshilltari Sulejman Starova priti gjatë, por dje shpërtheu: “Fajin e ka Luçiano Moxhi, ai i ka sjellë një grup mediokër lojtarësh dhe një trajner të paaftë”.
Te Partizani nuk e merr vesh më i pari të dytin: “Po a nuk ishte Federata armiku? A nuk ishin Kukësi e Skënderbeu rivalët?”.
Nga Kukësi, ku fitoi dje, presidenti korçar Ardjan Takaj u tregua më i butë se Starova: “Unë e shoh edhe Partizanin si rival, kampionati sapo ka filluar”. Diplomaci, dakord, por pak diplomaci duhet edhe brenda “llojit”, apo jo? Sepse pastaj te Partizani u turren gazetave: “Na sulmoni pa të drejtë”. Nëse sulmon vetë i pari një si Starova, i cili punon ende për Partizanin, çfarë dreqin u kërkoni gazetave? Pyetje pa përgjigje.
Po tifozët? Si anije pa timonier, në mes të oqeanit: disa shajnë Moxhin, disa trajnerin, disa e kanë me skuadrën që nuk lidh dot dy pasime e disa me… Starovën! Ky i fundit, si zakonisht, nuk i bën dakord asnjëherë njerëzit, sepse shumë tifozë e kanë kritikuar ashpër pse flet kështu kundër klubit ku bën pjesë, por disa të tjerë, me gjysmë zëri, kanë pranuar: “Nuk e ka keq Sula, po na marrin në qafë këta revolucionarët e Partizanit!”.
Faqja “KS Partizani” e akuzon Starovën për hipokrizi, mungesë sinqeriteti e koherence, duke rreshtuar ndryshimet e qëndrimeve të Starovës në periudha afatshkurtra. Ndoshta nuk përfaqëson gjithë tifozët, por është një zë i një pjese të tifozerisë së zhgënjyer nga e shkuara e afërt. E megjithatë, edhe e tashmja i ka mërzitur të gjithë dhe dashje pa dashje, Starova ka të drejtë, të paktën në një fakt shumë kokëfortë: revolucion në një skuadër që ka dy vite që i shkon pranë titullit, duke afruar lojtarë normalë/mediokër, është vendim shumë i gabuar i një klubi që refuzon në mënyrë kokëfortë të imitojë (e hidhur të thuhet) Skënderbeun, duke vazhduar me një projekt e një trajner për të paktën 2-3 vite.