Pollozhani këshillon korçarët: Ju tregoj si ta kaloni Mladën!

0
Vladimir Prenga
Skënderbeu luan të enjten një ndeshje të rëndësishme në “Elbasan Arena”, ndaj Mlada Boleslavit. Korçarët kërkojnë me ngulm ta kalojnë edhe turin e tretë të Europa League, por sigurisht që nuk është e lehtë, pasi në ndeshjen e parë në Çeki janë mundur me rezultatin e ngushtë 2-1. Gjithsesi, ka shumë besim dhe në njëfarë mënyre korçarët mund të frymëzohen nga Shkëndija e Tetovës, që vjet e eliminoi Mladën, edhe pse në kushte të tjera, pasi kuqezinjtë e kishin fituar ndeshjen e parë 2-0. Pjesë e Shkëndijës asokohe ishte edhe mbrojtësi Artim Pollozhani, i cili këtë sezon do të luajë në Superiore. Në një prononcim për “Sport Ekspres”, 35-vjeçari thekson se Skënderbeu i ka të gjithë mundësitë për t’i eliminuar çekët. “Mlada është një ekip që kalohet. Ne vjet e eliminuam me Shkëndijën, normalisht që kishim vështirësi. Ndeshja e parë, ku morëm rezultat pozitiv, na e bëri pak më të lehtë në Çeki. Bëhet fjalë për një ekip të mirë fizikisht dhe në goditjet standarde”, – shprehet fillimisht Pollozhani, që më pas kujton: “Vjet, në ndeshjen e parë Mlada u ndëshkua në Shkup me karton të kuq dhe besoj se aty ishte edhe çelësi i asaj fitoreje 2-0”.
SUGJERIMI PËR KORÇARËT – Pollozhani tregon pikat e dobëta të Mladës dhe këshillon korçarët të luajnë shpejt në sulm e të tentojnë të fitojnë duelet një për një në krahët e sulmit, me Latifin, Takun apo Gavazajn: “Do t’i kisha sugjeruar pjesës së sulmit të Skënderbeut të luajë me pasime të shkurta në 30-35 metrat në fazën sulmuese. Këtë lloj loje nuk e durojnë çekët, si dhe lojën një kundër një në fazën sulmuese. Si Latifi, edhe ai në të djathtë, në mos gabohem Taku, duhet të lihen një për një me mbrojtësit kundërshtarë. Gjithashtu, duhet të kenë kujdes në goditjet standarde. Ne kemi pasur Hasanin dhe Ibrahim, si dhe disa të tjerë, të cilët bënin lojë të shpejtë në fazën sulmuese dhe çekët kishin shumë probleme prej kësaj. Mbaj mend që pësuam gol në minutën e min 81-të dhe pas kësaj minute nuk kishte më lojë. Edhe stoperat, që ishin nga 2 metra të gjatë, kaluan në sulm dhe po luanin me topa të gjatë. Normalisht, Skënderbeu duhet të fitojë. Edhe me 1-0 kualifikohet, ndaj nuk ka pse nxitohet. Mundësitë për të kaluar më tej janë të mëdha dhe uroj të ndodhë kjo”, – u shpreh Pollozhani.
SHKËNDIJA – Tetovarët gjithashtu kanë humbur menjëjtin rezultat si Skënderbeu në Lituani dhe duhet ta përmbysin gjithçka në Strumicë. Pollozhani shprehet se Shkëndija e ka kualitetin për të kaluar më tej, por sheh si problem mungesat e rëndësishme: “Shkëndija duhet patjetër ta marrë seriozisht Trakain. Besomëni që do jetë e vështirë. Ekipi ka kualitet për ta eliminuar kundërshtarin, kjo nuk diskutohet, por po përsëriten të njëjtat gabime si vjet. Nuk garohet në Europë me 12 futbollistë, pa dashur t’i nënvlerësoj lojtarët e rinj, por ata s’kanë atë përvojë për të bërë ndeshje të mëdha në Europë. Po të shikosh tani ekipin, mungojnë Cuculi, Zhunior dhe Vujçiç, mungesa me peshë. Do të zëvendësohen me tre lojtarë të tjerë, por problemi është qe ngelet stoli me të rinj. Këtë problem ka Shkëndija, por uroj ta kalojnë Trakain, pse jo të futet edhe në grupe”, – përfundoi Pollozhani, i cili u largua nga Shkëndija këtë verë për të veshur fanellën e Flamurtarit.
You might also like
Leave A Reply

Your email address will not be published.