Junajtid fitoi pastër kundër Fulhemit në ndeshjen e së shtunës. 0-3 për “Djajtë e Kuq”, që tashmë renditen në vendin e katërt dhe presin ndalimin e Çelsit kundër Mançester Sitit. Një gjë e tillë ishte e paimagjinueshme në muajin dhjetor, madje Zhoze Murinjo u duk i dorëzuar në objektivin e arritjes së një vendi në katërshen e parë.
Portugezi u shkarkua dhe në vendin e tij erdhi Ole Gunar Solskjaer, i cili ka ringjallur Mançester Junajtid. Plot 8 fitore dhe një barazim në 9 ndeshjet e zhvilluara në kampionat, ndërsa Pol Pogba ndodhet në një formë të mrekullueshme.
Francezi shënoi një dygolësh në fitoren e fundit dhe është ngjitur në kuotën e tetë golave të shënuar dhe pesë asisteve, që kur Solskjaer është ulur në stolin e ekipit. Numra fantastikë dhe shifra bomberash. Norvegjezi ka spostuar mesfushorin pak metra më afër portës, por ky nuk është shkaku i vetëm i rilindjes së tij.
Pogba ka folur shkurt pas fitores me Fulhemin, duke vlerësuar trajnerin aktual dhe shigjetuar Murinjon, edhe pse nuk përmend emra. Raporti i tij dhe disa lojtarëve të tjerë me portugezin ishte i komplikuar. Murinjo u fiksua pas betejave psikologjike dhe në vend që të motivonte ekipin, përfundoi duke i lodhur lojtarët.
Solskjaer është ndryshe dhe Pogbasë i mjaftojnë pak fjalë për të përshkruar cilësitë e ish-sulmuesit. “Gjithçka ka ndryshuar falë gëzimit të Solskjaerit. Ai nuk bën lojëra dhe nuk mban recitime, thjeshtë ju dhuron gëzim të gjithëve”, flet shkurt e qartë ylli i Mançester Junajtid.