Vendosja e Elvis Plorit në pankinën e Besëlidhjes i hapi rrugën merkatos te skuadra lezhjane, njëherësh edhe organizimit për fillimin e përgatitjeve për sezonin e ri. Më 15 korrik nisin përgatitjet, ndërkohë që në gjysmën e dytë të këtij muaji është deklaruar se do të ketë testime lojtarësh dhe afrime.
Në muajin gusht do të zhvillohet një fazë e mirëfilltë përgatitore, me një ekip të konsoliduar. Normalisht do të zhvillohen edhe ndeshje miqësore. Sa i takon merkatos, mësohet se te skuadra lezhjane ka patur zhvillime së fundmi. Arian Sheta pritet të firmosë, sikurse edhe mesfushori Aristotel Koleci.
“Po, kam rënë dakord me drejtuesit e skuadrës së Besëlidhjes. Tashmë vetëm zyrtarizimi mungon për kalimin tim në këtë skuadër”, deklaroi Arian Sheta për Sportekspres.com, menjëherë pas mbylljes së bisedimeve me drejtuesit e skuadrës lezhjane.
Drejtuesit e Besëlidhjes kanë zhvilluar bisedime edhe me mesfushorin Aristotel Koleci, i cili në sezonin e kaluar ka qenë pjesë e Tomorit në Kategorinë e Parë. Me këta dy futbollistë shkon në tre numri i lojtarëve të afruar gjatë kësaj merkatoje te Besëlidhja, ndërkohë që trajneri Plori nuk mendon të ndalet. “Do kemi emra të tjerë shumë shpejt”, deklaron trajneri i Besëlidhjes.
AGRON KAJA