Platini është rikthyer të flasë dhe në një intervistë për “L’Equipe”, ish-lojtari i famshëm i Juventusit dhe ish-presidenti i UEFA-s është ndalur te kalimi i Kristiano Ronaldos në Itali dhe sistemi VAR.
Ronaldo – “Më duket e çuditshme që Kristiano Ronaldo u largua nga Reali në moshën 33-vjeçare për të provuar një eksperiencë të re. Unë, kur isha 32 vjeç, kërkohesha nga shumë klube, por e lashë futbollin, sepse isha lodhur. Mesa duket, Ronaldo nuk është lodhur akoma, por nuk e di nëse e ka kontaktuar Juventus lojtarin, apo menaxheri i tij Mendez ka kontaktuar bardhezinjtë? Nuk arrij ta kuptoj këtë operacion.”
VAR – “Jam kundër VAR-it, sepse është një video e copëtuar dhe nuk sjell më shumë drejtësi. Merrni finalen e Kupës së Botës, ku VAR ishte i pranishëm. Goli i parë i Francës u shënua nga një goditje dënimi, që për mua, nuk ishte faull. Në golin e dytë është regjia që lajmëron arbitrin, i cili kthehet në një lloj kukulle. Dhe në atë rast nuk mund të themi nëse ishte prekje me dorë, apo jo. Në shpejtësinë e aksionit dhe në një moviolë normale, nuk ishte penallti, por me ngadalësimin e super moviolës, arbitri vëren diçka dhe akordoi penallti. Gjithë Kroacia protestonte për një prekje të pavullnetshme, ndërsa gjithë Franca pretendonte të kundërtën. Ku është progresi dhe drejtësia në këtë rast? Gjithmonë është një interpretim dhe asgjë tjetër”, përfundon Mishel Platini.