Gjatë ditës së sotme Leonardo konfirmoi se Zllatan Ibrahimoviç nuk do të rikthehet te Milani. Kuqezinjtë vazhdojnë të kërkojnë një sulmues dhe një emër tjetër ka dalë në skenë. Siç raporton “Sport Mediaset”, Milani është i interesuar për Fabio Kualjarelën.
Leonardo ka kontaktuar klubin e Sampdorias për të marrë informacion për sulmuesin 35-vjeçar. Kualjarela po përjeton një rini të dytë me klubin ligur, ndërsa ka shënuar 8 gola në kampionat këtë sezon. Ai renditet i dyti pas Kristiano Ronaldos për numrin e golave dhe asisteve: portugezi i Juventusit numëron 15, ndërsa objektivi i Milanit 13.
Kualjarelës i skadon kontrata me Sampdorian në verë, ndërsa ai dëshiron një kontratë deri në vitin 2020 me Milanin, që nga ana e tij është gati t’i ofrojë për momentin një kontratë 6-mujore deri në fund të sezonit.