Sot është dita e Kristof Piatek dhe sulmuesi polak ka thënë fjalët e para si milanist. Kuqezinjtë arritën marrëveshjen me Xhenoan dhe 23-vjeçari do të luajë me ekipin që adhuron që fëmijë. Piatek është prezantuar si “Djall” dhe në konferencën për shtyp flet për gjithçka.
Ai nuk ka frikë, ka lindur gati dhe është gati të shënojë gola për të rikthyer Milanin në Champions Ligë. Një ndër idhujt e tij e ka në krah dhe ai është Paolo Maldini. Sulmuesi zbulon karakteristikat e tij, stilin e festimit të golave, shpreson të shënojë shumë bashkë me Kutronen, ndalet te ndeshja e debutimit kundër Napolit dhe e mbyll me ëndrrën e tij me Milanin.
PIATEK – “Kam besuar gjithmonë te vetja. Dëshiroja të tregoja diçka të mirë në Serie A kur erdha te Xhenoa. Unë jam një sulmues dhe e kam të rëndësishme të shënoj. Jam i njëjti person që isha përpara se të vija te Xhenoa. Është një kënaqësi për mua të jem pjesë e Milanit. Punoj shumë në stërvitje, jam sulmues dhe dua të shënoj në çdo ndeshje, por të shohim se çfarë do të ndodhë në fushë. Unë kam lindur gati. Ndihem gati dhe do jap gjithçka për të ndihmuar Milanin që të rikthehet në Champions. Do të luftoj në fushën e blertë për ngjyrat kuqezi.”
FOTO – “Ajo është një foto e vërtetë. Jam që i vogël tifoz me Milanin dhe ëndrra ime ishte luaja këtu një ditë. Të ulem këtu pranë legjendave të mëdha si Maldini, por dhe Leonardo është një nder i madh për mua. Shpresoj që të shpreh talentin tim në çdo ndeshje. Mund të them shumë gjëra, por dua t’ia lë fushës.
TRANSFERIMI – “Nuk mendoja se mund të realizohej kaq shpejt ky transferim. Përkrah meje kam Maldinin, të cilin e kam admiruar gjithmonë. Kam hedhur një hap përpara në karrierën time dhe shpresoj të arrij të luaj mirë me Kutronen. Duam të shënojmë shumë gola bashkë dhe shpresoj që gjithçka të shkojë mirë. Milik? Ai është në formë shumë të mirë. Unë mund të luaj me një gjysmë sulmues në krah. Shpresoj të fitojmë kundër Napolit.”
KONTAKTI ME MILANIN – “Futbolli është i papritur. Besoja se do të kishte interes për mua pas 13 golave të shënuar në Serie A, por nuk e prisja që të ndodhte nga Milani.”
SAN SIRO – “Të luash në këtë stadium është fantastike. Jam i përqendruar te puna ime dhe do jap maksimumin për të dhënë më të mirën time dhe për të shënuar gola.”
FESTIMI – “Ky është stili im dhe kur shënoj, qëlloj (bën shenjën e pushkës). Diçka e tillë më vjen në mënyrë spontane. Ëndrra? Dua të luaj në Champions Ligë me Milanin.”
TIFOZËT – “Për mua është një kënaqësi shumë e madhe që të luaj për Milanin dhe do të jap maksimumin për të shënuar gola me këtë uniformë.”