Komisioni i Disiplinës është mbledhur dhe ka dënuar aktet e dhunës në Korçë, teksa është vendosur që Skënderbeu të luajë pesë ndeshje pa tifozë në shtëpi, si dhe ka marrë një gjobë në vlerën e 3 milionë lekëve.
Pak më pak është dënuar Partizani. Katër ndeshja pa tifozë (brenda dhe jashtë), si dhe 2 milionë lekë gjobë. E ka pësuar për protestat në ndeshjen e Superkupës edhe presidenti i Laçit, Pashk Laska. Tirana dhe Kukësi paralajmërohen, ndërkohë që hidhet poshtë kërkesa e Artur Sejdinit të Vorës.
1.Zyrtari i KF “Laçi”, Pashk Laska për protesta ndaj vendimeve të zyrtarëve të ndeshjes kundër KF “Skënderbeu” e vlefshme për Superkupën e Shqipërisë, në bazë të nenit 56/1/a) të KDS, dënohet me 2 (dy) ndeshje pezullim nga aktivitetet. Në bazë të nenit 20, zyrtarit i ndalohet hyrja dhe qëndrimi në dhomat e zhveshjes, territorit përreth fushës së lojës dhe stolit të rezervave.
2.KF “Tirana”, paralajmërohet se në rast përsëritje të sjelljes së gabuar të spektatorëve do të jetë subjekt i masave ndëshkimore që përmban Kodi i Disiplines Sportive.
3.FK “Kukësi”, paralajmërohet se në rast përsëritje të reagimeve paragjykuese ndaj zyrtarëve të ndeshjes, do të jetë subjekt i masave ndëshkimore që përmban Kodi i Disiplinës Sportive.
4.KF “Skënderbeu”, për sjellje të gabuar të spektatorëve duke përdorur mjete ndezëse, hedhur gurë brenda rrethimit të fushës duke shkaktuar akte dhune dhe ndërprerje të përkohshme të ndeshjes kundër FK “Partizani”, në bazë të nenit 66/1 dhe 66/3/b) të KDS dënohet me gjobë në masën 300.000 (treqindmijë) lek dhe zhvillimin e 5 (pesë) ndeshjeve pa spektatorë në stadiumin përkatës.
5.FK “Partizani”, për sjellje të gabuar të spektatorëve duke përdorur mjete ndezëse, hedhur gurë brenda rrethimit të fushës duke shkaktuar akte dhune dhe ndërprerje të përkohshme të ndeshjes kundër KF “Skënderbeu”, në bazë të nenit 66/1 dhe 66/3/b) të KDS dënohet me gjobë në masën 200.000 (dyqindmijë) lek dhe zhvillimin e 4 (katër) ndeshjeve pa spektatorë.
6.Mos shqyrtimin e kërkesës së lojtarit të KF “Vora”, Artur Sejdini, duke mos qenë kjo kërkesë në kompetencë të Komisionit të Disiplinës Sportive.