Skuadra e Rejnxhersit ka plot 28 futbollistë dhe trajneri Stiven Xherrard, e ka thënë hapur që do të ketë disa largime, pasi skuadra sipas tij është shumë e madhe. Plot 5 lojtarë pritet të largohen nga skuadra skoceze, përfshirë këtu dhe sulmuesin e kombëtares shqiptare, Eros Grezda.
Grezda u transferua në verën e shkuar nga skuadra e Osijekut te Rejnxhërsi, por nuk arriti asnjëherë të fiksojë një vend titullari. Trajneri Xherrard, duket se e ka ndarë mendjen. Për mediat skoceze, tekniku anglez i Rejnxhërsit tha:
“Nuk duhet të jesh gjeni që të kuptosh se skuadra jonë është shumë e madhe. Disa lojtarë do të largohen, do t’ua komunikoj vetë. Do të jenë ditë të vështira, por kjo është detyra e trajnerit. Lojtarët ose të më urrejnë, ose të më respektojnë”, u shpreh Xherrard.