Interi transferoi verën e këtij viti Raxha Naingolan nga Roma, për shumën e 38 milionë eurove, plus talentin Nikola Zaniolo, i cili iu bashkua verdhekuqve, ku ka impresionuar me paraqitjet e tij. Ndryshe nga Zaniolo, Naingolan duket vetëm një hije krahasuar me lojtarin që ishte në kryeqytet.
Pezullimi i marrë ditën e djeshme, për përsëritje të vonesave në stërvitje, duket se e ka përkeqësuar akoma më shumë marrëdhënien e belgut me klubin zikaltër. Interi vendosi që për “ninxhan” do të ketë një gjobë 100 mijë euro dhe për ndeshjen ndaj Napolit, nuk do të jetë pjesë e ekipit.
Tashmë, në mediat italiane, po përflitet akoma më shumë dhe thuhet që mesfushori do të largohet që në muajin janar nga zikaltrit. Drejtuesit e klubit nga “San Siro”, duket se po shqyrtojnë si mundësi reale shitjen e 30-vjeçarit, për të cilin thuhet se ka kërkesa të shumta nga Kina.