Ivan Perishiç prej tre vitesh e gjysmë aktivizohet për Interin, duke qenë kështu një nga shtyllat e ekipit zikaltër. Gjithsesi, këtë sezon mesfushori i avancuar nuk ka qenë në formën e tij më të mirë dhe paraqitjet e tij kanë qenë mes shumë ulje-ngritjesh.
Për 29-vjeçarin ka pasur interes të madh, sidomos në merkaton e kaluar të verës, ku Mançester Junajtid e kërkoi me ngulm, por Interi nuk e kishte në plan largimin e Perishiç. Sidoqoftë, kur ka kaluar gjysma e parë e sezonit, gjërat kanë ndryshuar dhe zikaltrit mund ta rimendojnë shitjen e kroatit, ku Junajtid është shfaqur përsëri.
Sipas asaj që thuhet nëpër mediat angleze, drejtuesit e “Red Devils”, kanë gati 31 milionë sterlina për Perishiç dhe Interi mund të tundohet jo pak, pasi ato para mund të përdoren për një transferim të mundshëm të Luka Modriç në “San Siro”. Momentalisht, janë vetëm spekulime, por gjithçka mbetet për t’u vërtetuar në ditët në vijim.