Bruno Arrabal është një nga lojtarët më të spikatur të Kamzës. Për brazilianin ka pasur oferta të ndryshme vjet në janar dhe në verë, por rinovoi me klubin periferik të kryeqytetit. Mesfushori me tipare mbrojtëse më parë ishte aktivizuar në Qipro si titullar, ndaj edhe përshtatja në kampionatin shqiptar nuk ka qenë e vështire.
Për Globoesporte, Arrabal tregon hapat e parë në Brazil. “ Jam nga Ouro Preto dhe kam shpenzuar shumë vite në shkolla të vogla përreth zonës. Kjo ndodhi deri kur xhaxhai, im, gjithashtu futbollist, më gjeti klub në Campo Grande. Isha 13 vjeç kur shkova të luaj për Esporte Clube dhe më pas gjërat rrodhën vetë. Shkova në klube të ndryshme në Brazil, për të kaluar më pas në Europë”, shprehet mesfushori.
I pyetur mbi ndryshimin e futbollit brazilian me atë shqiptar, mesfushori shtoi: “Këtu në Shqipëri zhvillohet futboll i fortë, është shumë fizik. Ndryshimi me Brazilin është që këtu ka më shumë lojtarë me kualitet, them në aspektin teknkik. Ajo që i dallon më së shumti është pikërisht kjo forcë fizike”.
Në fund ai jep edhe një mesazh për të rinjtë në vendin e tij: “Sot mund t’u them të rinjve në shtetin tim që kurrë mos të heqin dorë nga ëndrrat e tyre. Vazhdoni gjithmonë e besoni në Zot, pasi Perëndia është ajo që hap dyert. Kjo është ajo që më ka ndodhur mua. Nuk ka qenë e lehtë, por prej katër vitesh luaj në Europë. Kjo ka ndodhur duke pasur shumë besim në Zot, me këmbëngulje dhe punë”.