Quhet Milan Shkriniar, është vetëm 22 vjeç dhe konsiderohet pasuesi i Murijos në qendër të mbrojtjes së Interit.
Klubi zikaltër praktikisht ka mbyllur blerjen e talentit të Sampdorias dhe Sllovakisë, i cili ka nisur vizitat mjekësore në Milano dhe nesër do t’i përfundojë ato, para se të firmosë.
Për shkak të Fair-Play-t financiar, Interi është i detyruar ta zyrtarizojë sllovakun më 3 korrik, por ndërkohë duhet të regjistrojë një operacion tjetër si shitje, për të përmbushur urdhrat e UEFA-s.
Kështu, Interi do të shesë urgjentisht sulmuesin Kaprari për 15 milionë euro te Sampdoria, duke regjistruar 15 milionët në bilancin e sezonit aktual, çka duhet ta bëjë për të respektuar normat Fair-Play të UEFA-s. Më pas, për sezonin e ri do të regjistrohet si blerje Shkriniar, për 35 milionë euro.
22-vjeçari luan prej vetëm një viti në Itali, me Sampdorian që e bleu për 1 milion euro nga sllovakët e Zhilinës dhe tani e shet për një shifër monstruoze.