Ngolo Kante është një futbollist i mrekullueshëm. “Milingona” e mesfushës së Çelsit nuk ndalet kurrë. Vrapime pafund, mjeshtër i rikuperimeve të topit, inteligjencë taktike dhe shpirt sakrifice. 27-vjeçari është një nga lojtarët më të dashur të tifozëve.
Jo vetëm Kante si futbollist, por dhe Ngolo si njeri. Ai ka qenë një pikë fikse e Leisterit të Ranierit, Çelsit të Kontes dhe Francës së Deshampit, ndërsa tani është radha e Sarrit për të shijuar fenomenin e vogël. Përveç aftësive në fushë, francezi zotëron dhe cilësi të rralla njerëzore. I thjeshtë, i turpshëm, i përulur dhe gjithnjë duke buzëqeshur.
Ka akoma të njëjtën makinë që bleu në vitin e parë me Leisterin, nuk përton të darkojë me tifozë, shpallet kampion bote dhe ka turp të pozojë me kupën dhe as që ka ndërmend t’i shmanget pagimit të taksave. E vështirë t’i gjesh ndonjë defekt dhe të gjithë e adhurojnë.
Por, David Luiz dhe Uillian kanë arritur t’i gjejnë një “njollë”. Dyshja e ekipit të Sarrit ka një miqësi të madhe me 27-vjeçarin dhe kanë zbuluar një detaj të veçantë për të. Ka të bëjë me restorantin “Mayfair”, pronarët e së cilit janë brazilianët.
“Restoranti iu pëlqen të gjithëve, sepse vijnë këtu dhe nuk duan të paguajnë kurrë. Sidomos, Ngolo Kante”, shprehet mbrojtësi për “Chelsea TV”, ndërsa ndërhyn Uillian: “E vërtetë, nëse i kërkon Ngolos të paguajë, ai të përgjigjët: ‘Ah seriozisht? Duhet të paguaj? Oh, jo! Ej, ti dhe David jeni njerëz të mirë, keni zemër të madhe…’
David Luiz vazhdon më tej. “Edhe pse ia thua para të gjithëve, ai të përgjigjet: ‘Jo, nuk dua të paguaj!’” Humor dhe batuta, apo të jetë totalisht e vërtetë? Ose, ku i dihet, Kante është aq i turpshëm sa mund t’i vijë zor për të paguar…