Sezoni po kthehet në një dramë për Realin, që është kampion Spanje e Europe në fuqi, por praktikisht kampionatit i ka thënë lamtumirë. Sinjalet ishin marrë që në verë, sepse u larguan Morata e disa emra të rëndësishëm, ndërsa stoli u varfërua ndjeshëm.
Zinedin Zidan kërkoi një sulmues, por nuk erdhi, sepse presidenti Florentino Pérez mendonte se mjaftonte një 18-vjeçar i talentuar si Ahraf Hakimi.
Edhe në mbrojtje u besua tek një i ri pa eksperiencë, Hezus Vajeho, ndërsa u ble vetëm Teo Hernández për krahun e majtë, por deri tani nuk ka dhënë ndonjë sinjal pozitiv, në aq pak minuta sa luan.
Problemeve mbrojtëse u shtohet mungesa e konkurrencës për sulmuesin Karim Benzema,ndërkohë që portieri Kejlor Navas po kthehet në problem, sepse kryen pritje të shkëlqyera, por bën edhe shumë gabime.
Kepa Arrizabalaga është i përzgjedhuri për t’u bërë portier i dytë dhe në të ardhmen titullar, ndërsa më urgjente janë ndërhyrjet në mbrojtje. David Luiz ishte një kandidat në verë, tani Bonuçi, Laporte dhe Markinjos, por Perez duhet të presë një cek të majmë.
Në fund, sulmi: Mauro Ikardi është i preferuari i Realit dhe flitet se janë kryer edhe vizitat mjekësore, por këtu duket fantazi e pastër. Gjithsesi, Perez do ta provojë që tani, përndryshe do të synohet Herri Kejn në verë. Ikardi kushton 110 milionë euro, një mbrojtës rreth 60 milionë dhe portieri Kepa 30 milionë: 200 milionë në total, për të ringritur Realin, me ëndrra të tjera në verë, nga Hazard te Nejmar.