Penalltitë dhe kartonët e kuq, FSHF i nis leksionet nga Kukësi

Sektori i arbitrimit pranë FSHF ka nisur një cikël trajnimesh me klubet e Superiores dhe të Kategorisë së Parë. Qëllimi është mësimi i saktë i rregullave të futbollit, që pësojnë ndryshime.

Ndalesa e radhës ka qenë në klubin e Kukësit dhe Sokol Jareci ka bërë shpjegimet e nevojshme. Ish-arbitri i njohur mban postin e shefit të sektorit të arbitrimit dhe është ndalur më shumë në rastet e dyshimta të prekjeve me dorë.

Ai u ka shpjeguar djemve të Cungut rregullat e lojës dhe përveç rasteve të dyshimta të prekjeve me dorë, Jareci është ndalur dhe në faullet e kryera, rastet e kartonëve të kuq dhe ndryshimin midis atyre brenda dhe jashtë zonës së 16-metrave.

Trajnimet do të vazhdojnë dhe në klubet e tjera dhe gjithçka bëhet me qëllimin për të patur një qartësi më të plotë për rastet e dyshimta dhe të veçanta, ndërsa Jareci e shpjegon më saktë në prononcimin e tij.

“Duke marrë në konsideratë se pjesa e dytë e këtij edicioni futbollistik do të jetë më e ngarkuar dhe vështirësia vjen në rritje, si për skuadrat që pretendojnë titullin kampion si edhe ekipet që zbresin një kategori më poshtë, filluam këtë seri trajnimesh. Janë ndeshje me vështirësi ku kërkohet interpretim sa më i saktë nga ana e arbitrave dhe sigurisht me këto rregulla të lojës duhet të njihen futbollistët dhe stafet përkatëse. Mjaft të diskutueshme në futbollin e sotëm janë rastet e prekjeve të topit me dorë, ku futbollistëve i prezantuam kriteret se kur një prekje me dorë duhet të ndëshkohet dhe kur nuk konsiderohet shkelje. Kriteret sesi ndëshkohen faullat e ndryshëm vecanërisht ato me KK brënda dhe jashtë zonës së penalltisë, ishin një pikë tjetër e seminarit”, sqaron Sokol Jareci.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *