Penalltia që kushton 555.000 euro, Gjici: Ç’ti bëj Peros?

0

Pero Pejiç kishte në dorë fatet e Kukësit dje, por nga pika e bardhë e 11-metërshit ishte portieri mik që triumfoi dhe ndali sulmuesin kroat, të cilit i ka përfunduar kontrata. Pas ndeshjes goleadori i Kukësi është parë i zhgënjyer dhe nuk ka dashur të flasë. Me shumë mundësi mes tij dhe Kukësit gjithçka mund të konsiderohet e mbyllur. Qëndrimi i tij ka qenë në pikëpyetje edhe për shkak të moshës, por penalltia që nuk shënoi mund të ketë “vulosur” fatin e tij me kampionët.

Ndërkaq, presidenti i Kukësit Safet Gjici ka qenë shumë i mërzitur pas ndeshjes dhe ka thënë vetëm një batutë në ecje e sipër për Top News: “Penalltia na hoqi kualifikimin nga duart, çfarë t’i bëj Pejiçit? S’kam ç’farë të them. Pastaj edhe fati nuk ishte me ne, vetëm shtylla, shtylla, shtylla”.

BILANCI – Kukësi largohet nga Liga e Kampioneve duke arkëtuar 480 mijë euro. 220 mijë janë për pjesëmarrjen në turin e parë dhe 260 mijë për faktin që nuk kapi dot grupet, si ngushëllim. Nëse kalonte Sherifin, Kukësi garantonte edhe 320,000 euro, qoftë edhe nëse eliminohej nga Karabaku në turin tjetër. Gjithashtu, 235,000 të tjera Kukësi i kishte të sigurta edhe në rast se humbiste në play-of të Europa League, ku shkonte nëse eliminohej nga Karabaku. Pra, Kukësi ka fituar 480 mijë euro, por ka humbur të paktën 555.000 euro! E imagjinoni dot sikur të eliminonte Karabakun ose të fitonte në play-off në Europa League? Miliona euro, ashtu si Skënderbeu kur kapi grupet në Europa League. E kuptoni pse Gjici e ka inatin me Pejiç?

You might also like
Leave A Reply

Your email address will not be published.