Benxhamin Pavard është prej kohësh në monitorimin e Bajernit të Mynihut, që dëshiron të sigurojë shërbimet e mbrojtësit të djathtë të Shtutgartit. 22-vjeçari, i cili bën mirë dhe rolin e qendërmbrojtësit, ka folur për “Le Parisien”, duke folur për interesimin e bavarezëve dhe të ardhmen e tij.
Francezi po bën mirë prej dy sezonesh me ekipin e Shtutgartit, ku ka zhvilluar 48 ndeshje deri më tani. Trajneri Deshamps i besoi një vend titullari në Botërorin e verës dhe anësori i krahut ia shpërbleu besimin, duke zhvilluar një kompeticion fantastik.
“Nuk kam firmosur me Bajernin. Jam i lumtur për interesimin e një klubi kaq të rëndësishëm, por për momentin jam i përqendruar te Shtutgarti. Nuk mendoj as për merkaton e verës”, sqaron kampioni i botës me Francën dhe një nga zbulimet më të bukura të Botërorit Rusi 2018.